Protesta për tragjedinë në Novi Sad, arrestohen dhjetëra qytetarë në Serbi

Mos i humb

Një dorë e kuqe e stampuar me mbishkrimin “kriminelë”, kjo është logoja, që demonstruesit prej tri javësh u paraqesin në rrugë institucioneve shtetërore në Serbi.

Qytetaret dhe qytetarët në protestë kërkojnë, që të mbahet përgjegjësi për 15 të vdekur dhe dy të plagosur rëndë nga rrëzimi i tendës në sheshin para stacionit të trenit në Novi Sad më 1 nëntor.

Kjo ndërtesë moderne nga viti 1964 kohët e fundit u rihap pas tre vjetësh të rinovimit. Projekti i ndërtimit u realizua nga një firmë kineze. Por sipas të dhënave të shoqërisë serbe të hekurudhave tenda e rrëzuar nuk ka qenë pjesë e masave të rindërtimit.

Në disa qytete të Serbisë u bllokua trafiku dhe qytetarët mbajtën 15 minuta heshtje të premten (22.11.2024) në nderim të viktimave të tragjedisë me 15 të vdekur dhe dy të plagosur rëndë në stacionin e trenit në Novi Sad më 1 nëntor. Qytetarët dhe qytetarët kanë vazhduar protestat, pasi mendojnë që kjo tragjedi është pasojë e korrupsionit, mungesës së transparencës dhe punës me pakujdesi gjatë rinovimit të stacionit të trenit. Të enjten (22.11.2024) prokuroria arrestoi 12 vetë lidhur me tragjedinë, ndër ta edhe ministrin e Ndërtimit, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiç. Këto arrestime pasuan pas protestave masive.

Arrestime arbitrare të demonstruesve

Studentja Mila Pajic është njëra nga organizatoret e protestave. Në kohën mes leksioneve në universitet ajo punon pa u lodhur për aksione të reja – bllokimin e urave, të rrugëve, bën telefonata për solidaritet dhe mosbindje civile.

Pak para aksionit Mila dhe shoqja e saj Doroteja Antiç u arrestuan nga policia. “Gjashtë burra veshur me të zeza na rrethuan dhe na udhëzuan të shkojmë me ta”, na tregon ajo, ende nën shok. “Unë refuzova, sepse ata as nuk u prezantuan dhe as nuk na treguan kartë identifikimi. Por ata thjesht më tërhoqën dhe më shtynë brenda një Jeep-i të zi duke udhëtuar në drejtim të panjohur.”

Gjatë marrjes në pyetje donin të dinin se kush i ka organizuar protestat dhe se çfarë planifikon ajo dhe bashkëpunuesit me të. Katër orë rresht u morën në pyetje të dy vajzat. Gjatë kësaj kohe prindërit e Dorotejas dhe Milas angazhuan avokatët dhe kërkonin vajzat e tyre në rajonet e policisë. Vetëm psai vajzat i deklaruan si të humbura zyrtarisht në polici, Mila dhe Doroteja u lanë të lira.

“Si policia edhe shërbimi sekret serb BIA na konfirmuan, se emrat tanë nuk ndodhen në asnjë prej sistemeve të tyre”, thotë Mila Pajiç për DW. “Ato nuk janë të regjistruara në asnjë protokoll, nuk ka pasur regjistrime të bisedave.” Pra kush i ka marrë në pyetje dhe i ka frikësuar të dy studentet?

Numri i arrestimeve nuk dihet

Gjatë tri javëve pas fatkeqësisë në qytetin e dytë për nga madhësia në Serbi në mbarë vendin në të njëjtën mënyrë janë arrestuar dhjetëra vetë, ndër ta politikanë të opozitës, aktiviste dhe studentë. Pyetjes së DW për numrin e saktë të të arrestuarve dhe se për çfarë ngarkohen ata deri tani policia serbe nuk i është përgjigjur. Zyrtarisht është e ditur, se të paktën 15 vetë ndodhen ende në arrest.

Shumë vëmendje dhe solidaritet po përjeton studenti i arteve, Relja Stojanovic. Ai gjatë një tubimi proteste u përpoq të mbrojë shoqen e tij nga një person i panjohur që e sulmoi, por më pas u mësua, se sulmuesi ishte një polic i veshur civil. Stojanovic tani u akuzua për sulm fizik ndaj një nëpunësi.

Për solidaritet me Stojanovic janë bashkuar me protestën edhe artiste e artistë në Novi Sad. Ndërkohë në teatrot e qytetit me 300.000 banorë është kthyer në një ritual të rregullt, që artistët përpara shfaqjeve i drejtohen publikut duke kërkuar, që të merret përgjegjësi politike për tragjedinë në stacionin e trenit dhe që të gjithë qytetaret dhe qytetarët e arrestuar të lirohen./DW

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit