Qytetarë kryesisht nga Kukësi dhe familjarë të personave të ndaluar që dyshohen se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur kundër tarifave në “Rrugën e Kombit”, kanë protestuar përsëri në Tiranë.
Qytetarët janë mbledhur para Drejtorisë së Policisë Tiranë, duke kërkuar lirimin e tyre, pasi disa prej të ndaluarve vazhdojnë të qëndrojnë në këtë institucion.
Ndërkohë nga ana tjetër seanca në Gjykatën e Kukësit për masat e sigurisë për të ndaluarit do të mbahet nesër.
Edhe protestës së sotme i janë bashkuar deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, që mbështesin protestuesit dhe kundërshtojnë tarifat për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit”.
Kujtojmë se Policia e Kukësit ka ndaluar 23 persona, të cilat dyshohet se janë të përfshirë në përplasjet me forcat e policisë në protestën e mbajtur disa ditë më parë pranë Tunelit të Kalimashit kundër tarifave për kalimin e automjeteve në “Rrugën e Kombit”, ku mbetën të plagosur 13 policë dhe disa qytetarë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë njoftoi disa ditë më parë se pas testimit të sistemit për tarifat e kalimit të automjeteve do të përcaktohet data e fillimit të kalimit kundrejt pagesës.
Për motorët është caktuar tarifa prej 2.5 euro dhe për veturat 5 euro, ndërkohë që tarifat kundërshtohen nga banorët e Kukësit./Rtv Islam/


