Putin e quan “agresive” strategjinë e sigurisë së SHBA-ve

Mos i humb

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se strategjia e re për sigurinë kombëtare të SHBA-ve është sulmuese dhe agresive.

“Ne do ta shqyrtojmë këtë strategji të re. Të gjitha ndryshimet në balancat e forcave në botë, përfshirë edhe Lindjen e Mesme, duhet të ndiqen nga afër”, deklaroi Putin gjatë fjalimit të tij në takimin e organizuar në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë.

Ai akuzoi SHBA-të për shkeljen e Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi (INF).

Presidenti rus pretendon se raketat të cilat përdoren nga SHBA-të për testimin e sistemit të mbrojtjes nga raketat, kanë strukturë të njëjtë me raketa balistike me rreze të mesme dhe të shkurtra veprimi.

“Përdorimi i këtyre raketave nga SHBA-të tregon se SHBA përdor teknologjitë të cilat janë të ndaluara në kuadër të Traktatit të INF-së”, tha Putin.

Lidhur me strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-ve, Putin tha se “Ne këtë dokument, në gjuhën diplomatike e vlerësojmë si sulmues, kurse në gjuhën ushtarake si agresiv dhe do ta shqyrtojmë këtë strategji të re”.

Gjithashtu Putin akuzoi edhe NATO-n për rritje të shpejtë të strukturës së saj ushtarake në Evropë.

“Sigurisht se nuk duhet harruar se në periudhën e fundit po rritet në vazhdimësi prania ushtarake e SHBA-ve dhe e NATO-s në Evropë. Këto çështje do të jenë një nga prioritetet e Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë”, thekson Putin.

Kujtojmë se Presidenti i SHBA-ve Donald Trump kohë më parë ka publikuar një dokument prej 55 faqesh, i cili përfshin strategjinë e re të sigurisë kombëtare të këtij shteti. Në dokument sidomos është potencuar se strategjitë e Rusisë dhe Kinës janë në kundërshtim me interesat e SHBA-ve./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit