Qeveria “Haradinaj” minus një grua: mos e larguan Pacollët Albena Reshitajn?

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Qeveria “Haradinaj” me të marrë mandatin u kritikua për numrin e vogël të grave në ekzekutiv, gjithsej dy (Dhurata Hoxha nga PDK) dhe (Albena Reshitaj nga AKR). Por aktualisht ka mbetur veç një. Arsyeja është largimi i kësaj të fundit nga pozita e ministres.

Reshitaj që mori këtë post si zyrtare e AKR-së së Pacollit të mërkurën mbrëma dha lajmin se dorëhiqet nga qeveria, siç tha për arsye personale.

“Sot (dje) ka ardhur koha të ju falënderoj për përkrahjen dhe bashkëpunimin për gjatë gjithë këtyre muajve.  Njëkohësisht falënderoj Presidentin e AKR-së z. Behgjet Pacolli, Kryeministrin z. Ramush Haradinaj dhe të gjithë kolegët, me të cilët punuam së bashku. Vullneti dhe përkushtimi im për t’i kontribuar vendit, mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë, do të vazhdojë gjatë gjithë jetës sime. Për shkaqe personale, sapo kam ofruar dorëheqjen time nga pozita e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, shkruan Reshitaj në Facebook.

Por ajo në letrën e saj nuk tregoi se cilat janë shkaqet personale, duke lënë kështu enigmë largimin e saj të befasishëm, kur nga jo pak njerëz cilësohej si zyrtarja më e dalluar e kabinetit Haradinaj.

 A u largua Reshtaj për shkak përplasjes me Pacollët për punësimet në Ministrinë e Mjedisit?

Edhe pse ajo si arsye jep shkaqet personale muaj më parë ka pasur një përplasje nga distanca me Rrahim Pacollin sekretar i AKR-së, njëherit vëlla i shefit të saj Behgjet Pacollit.

E gjitha nisi pasi portali që është pronë e Rrahim Pacollit, “Arbresh”, publikoi një shkrim ku Reshitaj akuzohej për punësim të familjarëve, konkretisht se punësoi Andrra Pllanen dhe Adelina Mehiu që sipas portalit janë të afërm të Reshitajt.

Vetë Reshitaj pranoi se ato ishin punësuar në kabinetin e saj. Por që sipas ish-ministres punësimi kishte ndodhur në mënyrë krejtësisht të rregullt.

“Punësimet në kabinetin e ministres Reshitaj nuk janë të jashtëligjshme dhe bazohen në Rregulloren për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive me nr. 02/2011”, thuhen në reagimin e MMPH-së.

“Në bazë të kësaj Rregulloreje, e cila specifikon emërimin e kabinetit të ministres sqarojmë se znj. Andrra Pllana dhe znj. Adelina Mehiu janë emëruar si asistente të ministres, duke mos shkelur asnjë procedurë ligjore”, theksohej aty.

Në komunikatën e lëshuara nga kjo ministri thoshte se grupe të caktuara për përfitime personale janë duke përfshirë ministren në çështje të ndryshme.

“Ne i kuptojmë pretendimet e individëve dhe grupeve të caktuara keqdashëse për përfitime personale nga institucionet publike, por ua bëjmë me dije se ministrja Reshitaj është e përkushtuar në menaxhimin dhe shpenzimin e duhur të parasë publike duke mos lejuar interferime në punën e saj institucionale”, thuhej në reagim.

Për gjithë këtë çështje Rrahim Pacolli u distancua nga portali që udhëheq, duke thënë se nuk është redaktor i portalit.

“Nuk i kam lexuar lajmet, sepse jam në Marec dhe nuk kam internet. Po në Arbresh është redaktor i lajmeve tjetërkush, dhe jo unë”, deklaroi Pacolli në një prononcim për “Periskopin”.

Sigurisht se javët apo muajt e ardhshëm do kuptohet nëse janë Pacollët ata që e larguan Reshitajn nga pozita e ministres duke konfirmuar kështu se partitë gratë i vendosin në pozita të larta shtetërore vetëm sa për dekor dhe se i largojnë menjëherë sapo nuk i dëgjojnë urdhrat e tyre. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit