“Qeverisë Haradinaj i ka skaduar afati”

Mos i humb

Pozitë e opozitë nuk e ndajnë të njëjtin mendim për punën e legjislativit gjatë vitit që po e lëmë pas.

Derisa opozita, thonë se Kuvendi ka dështuar gjatë kësaj periudhe në realizimin e programit, pozita mendon se kjo legjislaturë është më efikase krahasuar me legjislaturën paraprake.

Opozita dështimin e punës së Kuvendit për vitin 2018 e argumenton me mos koordinimin e duhur ndërmjet partive të koalicionit duke dështuar shumë seanca e mos miratim të ligjeve, sikur edhe fajësojnë kreyekuvendarin Veseli se agjendën e punës së Kuvendit e ka përshtatur me agjendën e tij personale.

Por, punën e legjislativit për vitin 2018 e lavdëron pak më shumë, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica, i cili për Kosova Post tha se Kuvendi i Kosovës, ka miratuar më shumë ligje se sa ai i kaluari.

Megjithatë Reçica e pranon se nuk është punuar mjaftueshëm në Kuvend.

“Nuk mund të lavdërohemi punën që e kemi bërë, por ju e dini çfarë kanë qenë rrethanat dhe cilat kanë qenë vendimet. Duke e pas parasysh katër mujorshin e legjislaturës së kaluar dhe tash shihet me shifra se kjo legjislaturë ka punuar më shumë. Edhe qeveria ka sjellë ligje më shumë po edhe deputetët kanë miratuar ligje më shumë. Njëkohësisht edhe iniciativat e deputetëve për të nxjerrë projekligje për t`i shndërruar në ligje kanë qenë më e madhe në numra dhe në kuadër të saj, sa i përket shifrave, ne jemi më mirë se në 4 mujorshin e parë të legjislaturës së fundit kur kanë qenë 89 deputetë koalicioni”, tha Reçica për Kosovapost.

Deputeti i PDK-së, ka ndërlidhur situatën jo të mirë në Kuvend me problemet e brendshme, që sipas tij, kanë partitë e opozitës.

“Zgjedhjet nuk janë zgjidhje, Zgjedhjet janë komplikim i situatës çfarë është relativisht tash e komplikuar dhe e dimë ne që nuk mund të ketë një rezultat tjetër jashtë atij që ka qenë në 2017-tën. Dhe në kuadër të kësaj, nuk do të duhej asnjëra parti që problemet e tyre të brendshme, mungesën e lidershipit pastaj ndarjet e mundshme t`i barti nga partia e tyre në Kuvend ose te qytetarët. Nuk do të duhej dhe nuk është korrekte që t`i bartin as te qytetarët as te vet ne që t`i bartin ata problemet këtu në Kuvend dhe pastaj t`i bartin te qytetarët”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, fajin për, siç tha ajo, punën jo të mirë të Kuvendit, e kanë deputetët e pozitës.

Sipas saj, është mazhoranca ajo e cila duhet të votojë ligjet.

Kollçaku në një prononcim për Kosovapost, ka thënë se e vetmja zgjidhje për “bllokadën në Kuvend” janë zgjedhjet e reja.

“Është detyrë e deputetëve të pozitës që të jenë në Kuvend dhe t`i votojnë ligjet, opozita e ka poashtu obligim që ta kryej mandatin e deputetit në mënyrë të dinjitetshme, mirëpo vërtetë me mënyrën se si po udhëhiqet seanca në mënyrën se si po caktohet, në orët e paditës, në orët e vona dhe kur nuk kanë mundësi t`i sigurojnë deputetët e tyre dhe në anën tjetër bllokim i çdo iniciative të opozitës në fakt jemi në një moment që kemi njëfarë bllokade në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe siç po shihet e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e reja ku do të kemi një qeveri kredibile dhe një Kuvend i cili do të ketë mundësi që ta kryejë punën e vet në këtë formë si po vazhdon po e shihni që Kuvendi është në një bllokadë të patolerueshme”, deklaroi ajo.

Deputetja Kollçaku, tutje ka shtuar se janë duke pritur që kolegët e tyre nga koalicioni të reflektojnë e t`i ndihmojnë opozitës që ta rrëzojë këtë qeverisje.

Kjo pasi, sipas saj, opozita e ka të pa mundur të veprojë në Kuvend për shkak të bllokadës nga pozita.

“Ne po presim që të reflektojnë edhe deputetë e tjerë me këtë situatë sepse detyrë e pozitës është që t`i ketë numrat që t`i shtyjë çështjet në Kuvend opozita është e pamundësuar me vepruar në Kuvend sepse çdo iniciativë e opozitës po bllokohet prandaj ajo çfarë duhet të bëjmë është që ta kemi një konsensus… I ka skaduar koha kësaj mazhorance, këtij pushteti”, përfundoi ajo.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit