Rama: Benet Beci kandidati ideal për Shkodrën, me të votoni kuqezi

Mos i humb

Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot se në Shkodër PS vjen me një kandidat ideal, që nuk është as blu, as mavi, por është kuqezi.

Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale të 14 majit në Shkodër, Rama u shpreh se Benet Beci nuk është këtu si kandidat i rastësishëm, as si një kandidat i PS-së.

“Beneti është këtu si një mundësi tjetër për të gjithë qytetarët e Shkodrës që nga qendra, deri në të gjitha periferitë e kësaj bashkie, të cilat shtrihen deri në Theth. Beneti është këtu edhe si një reflektim i yni pas asaj që ndodhi në 2019-n. Ne patëm një mundësi të artë për të treguar edhe në Shkodër se çfarë dimë të bëjmë, ashtu siç e kemi treguar në këto 4 vjet në Tropojë e në Kamzë. Në Shkodër nuk na është dhënë kjo mundësi, e humbëm vetë në 2019-n për shkak të mungesës së sinqeritetit të kandidatit tonë, që nuk na tregoi të vërtetën, u detyrua të tërhiqet dhe na turpëroi të gjithëve”, tha Rama.

Rama tha se këtë herë kemi vendosur me shumë kujdes, se jemi menduar gjatë se çfarë mund t’i ofrojmë ne sot Shkodrës, si reflektim dhe mundësi që edhe ata që kanë fiksimin historik që nuk e ndërrojnë votën, në kushtet kur nuk ia vlen ta çosh votën kot, të mos ndjehen të vënë në vështirësi.

Rama tha se nuk e ka menduar në fillim që do gjenin një kandidat kaq ideal, që të ketë punuar kaq kohë me Berishën.

“Beneti thotë ‘kam punuar me zotin Berisha dhe zotin Rama’. Me mua ka punuar se i kam vlerësuar punën. Në atë lloj xhungle ka qenë nga shumë të paktët që dilte në pah si shembull me punën e tij. Beneti ka bërë debate në televizor në fushatë elektorale kundër nesh. Ky nuk kandidonte për asnjë gjë, po dilte mbronte Berishën. Për mua kjo nuk ishte problem, përderisa e kishte treguar se ishte njeriu i duhur për ta menaxhuar FSHZH-në”, tha Rama.

Ai vlerësoi punën e Benet Becit në drejtimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Kur i thashë do futesh deputet më tha ‘nuk jam për atë punë’. I thashë je shumë blu dhe duhet të të hedhim edhe pak nga ngjyra jonë, se kur të çojmë për kandidat të votojnë të tjerët e jo të mitë. Mori pak ngjyrë, por as ngjyra blu, as ngjyra mavi nuk e kanë udhëhequr kurrë Benetin në punën e vetë, por e ka udhëhequr profesionalizmi i tij”, shtoi Rama.

Duke iu drejtuar demokratëve, Rama theksoi se Beneti, si Shqipëria, nuk është as blu, as mavi, është kuqezi.

“Shkodra duhet të votojë kuqezi këtë herë duke votuar për Benetin. Të djathtët duhet të shohin se sa xheloz është bërë Berisha për Benetin. Më tha Beneti, është shqetësuar shumë doktori dhe i thashë që unë kam një jetë që punoj për të shqetësuar doktorin. I thotë: ‘Benet pse ike? Diçka ka ndodhur çfarë ke bërë? Ku të kanë kapur? I thashë Benetin t’i thotë më ka kapur Shkodra”, shtoi Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit