Rama: Diskutim i hapur për pensionet, pjesa më e vështirë e të gjithë mozaikut të zhvillimit

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, pensionet janë pjesa më e vështirë e të gjithë mozaikut të zhvillimit.

Në një takim me pensionistët e Fierit për të ndarë me ta pikëpamje për skemën e pensioneve, Rama u shpreh se, “jemi angazhuar në një diskutim të hapur në të gjithë territorin e Shqipërisë përmes drejtuesve politikë të PS-së, anëtarëve të kabinetit, deputetëve, për të kontaktuar sa më shumë pensionistë dhe pensioniste në një përpjekje për të shpjeguar në mënyrë konkrete dhe me fakte të gjithë panoramën që kemi sot përballë, në mënyrë që të kuptohemi sa më mirë, për jo thjesht çfarë duam të bëjmë, por edhe si mundet ta bëjmë”.

“Pensionet janë pa diskutim pjesa më e vështirë e të gjithë mozaikut të zhvillimit dhe sot tema e pensioneve nuk është një temë thjesht për vendet si ne, por është një temë për të gjitha vendet, duke filluar nga vendet më të pasura, ku në mënyrë të vazhdueshme ngrihet problemi i vështirësisë për të rritur pensione dhe për t’iu përgjigjur financiarisht rritjes së pensioneve në kohë, sepse nuk është diçka që mund të jetë sot dhe duhet të mungojë nesër. Çdo pension që rritet, rritet për të qëndruar i rritur aty në kohë”, theksoi Rama.

Kryeministri theksoi se pensionet, ndryshe nga pagat, varen nga kontributet në sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.

“Pse kjo është pjesa më e vështirë dhe çfarë e bën pensionin të ndryshëm nga pagat? Sepse ndryshe nga pagat pensioni bazohet tek sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat, të cilat financohen drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, pensioni financohet nga sigurimet shoqërore dhe ndryshe nga pagat fondi i pensioneve është një fond i bazuar tek kapaciteti i sigurimeve shoqërore për t’iu përgjigjur nevojës për të paguar pensionet”, tha Rama.

“Për arsye të ndryshme historike ne kemi trashëguar një situatë jashtëzakonisht të vështirë kur vjen puna tek pensionet, sepse në radhë të parë, ka pasur, ka akoma, por ka pasur shumë tepër shmangie nga sigurimet shoqërore, e para.

E dyta, shtoi kreu i qeverisë, “në fillim të viteve ’90 kur u shkatërrua çdo gjë në aspektin e formacionit ekonomik dhe prodhues të vendit u bë edhe nxjerrja në pension shumë të parakohshëm të shumë njerëzve që ishin punëtorë në fabrika dhe ndërmarrje dhe u rrit në mënyrë shumë artificiale, për shkak të atij shkatërrimi, numri i pensionistëve.

Pra, theksoi Rama, “u rrit numri i atyre që u futën në skemën e pensioneve dhe të cilët duhet të paguheshin nga fondi përkatës i sigurimeve shoqërore që asokohe ishte jashtëzakonisht i pafuqishëm”.

Së treti, nënvizoi Rama, “ne kemi në këtë periudhë të historisë sonë një situatë të trashëguar specifike, pasi shumë njerëz shkuan në emigracion dhe ka plot që kthehen nga emigracioni për të kaluar këtu pensionin dhe tronditen nga masa e pensionit. Por ndërkohë, vijoi Rama, “ata njerëz kanë fituar të ardhura në vendin ku kanë qenë në emigracion kanë paguar atje sigurimet shoqërore, por jo këtu”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit