Rama: Edhe pak durim. Korridori Blu kolona vertebrore e infrastrukturës turistike

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, ka nisur puna për Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane që do të lidhë veriun me jugun e vendit.

Rama u kërkoi ndjesë dhe pak durim qytetarëve.

“I ndjekim me vëmendje ankesat e mirëkuptueshme të drejtuesve të automjeteve në aksin Shkodër – Tiranë këtë verë dhe jemi shumë të vetëdijshëm për faktin që rritja marramendëse e fluksit të vizitorëve në këtë sezon fantastik për industrinë e turizmit, e ka rënduar edhe më shumë se zakonisht situatën e trafikut përgjatë këtij aksi, sidomos në segmentin Milot – Kashar. Shpërblim i madh i përpjekjeve tona këmbëngulëse ky moment shpërthyes për turizmin, por  shumë ndjesë për pasojën e këtij zhvillimi të shumëpritur, të cilën do ta vuajmë edhe për disa kohë në mungesë të Korridorit Blu”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë nënvizoi se, “lajmi i mirë është se puna e gjithanshme, me projektime dhe financime, për ta lidhur  Shqipërinë Perëndimore nga veriu në jug me Korridorin Blu, një autostradë e mirëfilltë e standardeve europiane, ka hyrë më në fund në një fazë konkretizimesh po aq të shumëpritura sa edhe zhvillimi i mëtejshëm spektakolar i industrisë së turizmit”.

Kryeministri Rama renditi gjithashtu të gjithë segmentet rrugore ku po vijon puna.

“Në segmentin Thumanë – Kashar po vijon puna me ritme të shpejta dhe është realizuar mbi 40% e volumeve. Për segmentet Milot – Thumanë / Kashar – Lekaj / Lekaj – Fier kanë përfunduar garat dhe janë tanimë gati tre kontrata të reja, që po lidhen për të nisur menjëherë nga puna. Për segmentin Milot – Balldren  hapim garën e ndërtimit në vjeshtë. Murriqan – Lezhë është segmenti lidhës me Malin e Zi, për të cilin aktualisht konsulentët e Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (ËBIF) po hartojnë projektin paraprak, të cilin pritet ta dorëzojnë në Dhjetor 2023”, u shpreh Rama.

“Korridori Blu do të jetë kolona vertebrore e infrastrukturës turistike të Shqipërisë 2030, e cila po merr formë ditë pas dite, si ylli në ngjitje i Ballkanit Perëndimor”, theksoi Rama, teksa shtoi se, “përdoruesit e aksit të rënduar Shkodër – Tiranë nuk do të durojnë më aq shumë sa kanë duruar, edhe pak durim dhe falë edhe Korridorit Blu po edhe shumë veprave publike në nivel vendor dhe investimeve shumë të konsiderueshme private në turizëm, Shqipërinë bregdetare turistike do ta kemi një nga krenaritë tona të mëdha kombëtare”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit