Kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.
I shoqëruar nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, Rama pa nga afër ecurinë e deritanishme të punës në rrugën që po ndërtohet, e cila fillon në dalje të qytetit të Elbasanit, në fshatin Labinot Fushë dhe përfundon në kilometrin 44, në afërsi të pikës doganore Qafë Thanë.
Rama theksoi se “falë Samitit të Bashkimit Europian në Tiranë hyri më në fund në korridoret europiane pas vitesh të tëra ‘luftë’ dhe së bashku me aksin Durrës – Prishtinë – Nish do t’i japë përfundimisht portit të ri tregtar të Durrësit rolin e shumëdëshiruar strategjik, si nyje lidhëse Lindje – Perëndim për lëvizjen e mallrave”.
Ndërkohë, Kryeministri informoi se po punohet sipas grafikut të përcaktuar për këtë lot të rëndësishëm, i cili është në fazën e përgatitjes për hedhjen e shtresave asfaltike.
“Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve”, theksoi ai.
Nga ana e saj, Balluku u shpreh se ky është një aks me të gjitha patametrat e autostradës moderne, që vazhdon deri në afërrsi të Qafë Thanës. “Pas një bisede intensive me autoritetet e Maqedonisë së Veriut kemi vendosur të ndërrojmë pikën e daljes me Maqedoninë e Veriut”, tha ajo.
Balluku theksoi se gjeologjia në këtë kantier ka favorizuar ecurinë e punimeve dhe lotet po ecin shumë mirë.
Balluku foli po ashtu edhe për negociatat që po zhvillohen për bajpasin e Elbasanit, i cili ka një gjatësi prej 20 km dhe shmang qytetin e Elbasanit.
Segmenti i ri i rrugës Elbasan-Qafë Thanë shtrihet përgjatë shtratit të lumit Shkumbin, me një gjerësi 22 metra, me 4 korsi.
“Jemi në lotin e parë të rrugës Elbasan- Qafë Thanë. Një vepër që do të zhvillohet në 8 lote ndërkohë që loti i parë dhe i dytë janë aktivë në këtë moment. Në vitin 2024 do vazhdojmë me hapjen e lotit te pestë dhe të gjashtë. Viti 2025 do jetë viti i lotit të 7 dhe të 8, duke qenë se ka të bëjë edhe me financimet si do të vazhdojmë. Është një pjesë e rëndësishme e korridorit të 8-të që nis nga fshati Labinot Fushë dhe vazhdon 44 kilometra ne një rrugë që siç e shikoni ju me të gjitha parametrat e autostradës moderne, kushteve të sigurisë edhe kategorisë së rrugës dhe vazhdon deri në afërsi të qafë Thanës”, shpjegoi Ministrja Balluku.
Projekti do të shtrihet në një gjurmë tërësisht të re buzë lumit Shkumbin, duke i dhënë zgjidhje edhe një problematike që lidhet me mungesën e ndërhyrjeve ndër vite të sistemimit të shtratit të lumit Shkumbin dhe duke ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së zonave përreth, të cilat do të lidhen me Qendrat Administrative dhe Qendrat Administrative kufitare, por edhe do të nxjerrë në pah fushëpamjen panoramike të zonës.
Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve


