Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “e përsëris edhe me zë e figurë apelin për lirimin e menjëhershëm pa kushte, pa nëse, të tre efektivëve të Policisë së Kosovës jo vetëm sepse është shkelje e të drejtave të njeriut, që nuk mund të minimizohet në asnjë mënyrë, por sepse pa u kthyer në shtëpi ata tre burra nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e deeskalim-it”.
https://www.facebook.com/ediramaal/videos/823074096069775
Në një konferencë për shtyp, Rama tha se “jam këtu sërish pranë jush pas një tjetër dite të humbur pa dialog mes dy liderëve të Kosovës e Serbisë në Bruksel, ndërkohë që situata mes dy shteteve degradon përditë në një spirale absurditeti shumë të rrezikshëm. Në fakt dje nuk kishte si të ndodhte ndryshe për sa kohë tre efektivët e policisë vazhdojnë mbahen në burg në Serbi”.
“Nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo deeskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi, madje nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet mes Shqipërisë e Serbisë për sa kohë nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve, të cilët nuk kanë kryer asnjë kri. Edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit sikur ta marrim të mirëqenë këtë pretendim dihet botërisht se në çdo legjislacion demokratik për kalim të paligjshëm të kufirit njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht, njihen me masën e ndalimit të hyrjes në atë vend për një kohë të caktuar”, nënvizoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe papranueshme. Përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejtë të 3 policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër duke ngritur zërin për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minoritetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese sepse shtetet demokratike nuk i përgjigjen kurrë në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara të të drejtave të bashkëkombasve në një shtet tjetër”.
“Nëse Serbia ka pretendime për arrestimin arbitrar në veri të qytetarëve të Kosovës me kombësi serbe këto pretendime nuk argumentohen duke mbajtur peng tre policë shqiptarë në Serbi, por duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar me EULEX, KFOR dhe mbi të gjitha duke vepruar konkretisht aty ku është edhe origjina e kësaj problematike që është marrëdhënia, e cila duhet normalizuar, që është marrëveshja që duhet finalizuar”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “pardje i kam nisur një letër të dytë, presidentit Macron dhe kancelarit Scholz dhe presidentit të Këshillit Evropian Charles Michel lidhur për domosdoshmërinë për një shtyrje të re të Francës dhe Gjermanisë si kumbarët e planit franko-gjerman, me mbështetjen e SHBA, që ky plan të zbatohet me doemos”.
“Në kushtet e situatës në veri si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë po e rrit me orë klimën e tensionit duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë ç’ka do të ishte një katastrofë në mes të cilës do të përfshihej pastaj edhe KFOR-i”, tha Rama.


