Ecuria e proceseve të paqtimit dhe bashkëpunimit në rajon ishin gjithashtu në qendër të takimit të zhvilluar sot në Tiranë mes kryeministrit Edi Rama dhe Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Lordin Cameron, kryeministri Rama tha se “Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre proceseve dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë, po ku në vijimësi ka edhe ne ngecje në vend apo në vijimësi ndihet edhe rreziku i kthimit mbrapa”.
Më tej Rama falënderoi kryeministrin britanik Sunak dhe Lordin Cameron për gatishmërinë e tyre për të mbështetur ofrimin e Shqipërisë që vitin e ardhshëm të bëhet vendi pritës i samitit të madh të komunitetit të përbashkët europian, që do të mbahet për këtë vit në 18 korrik në Londër.