Shqipëria ka mbyllur negociatat për tre kapitujt e parë për anëtarësimin në BE, Kapitullin 25 për kërkimin shkencor, Kapitullin 26 për arsimin dhe kulturën si dhe Kapitullin 30 për marrëdhëniet me jashtë.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga Konferenca IX Ndërqeveritare Shqipëri-BE duke e konsideruar “një tjetër ditë të shënuar të Shqipërisë Europiane”.
Para nisjes së Konferencës, Rama ka zhvilluar një bisedë informale me anëtarët e delegacionit shqiptar.
Kryeministri pyet Kryenegociatoren Majlinda Dhuka nëse është e mundur të mbyllen më shumë se tre kapituj njëherësh.
Dhuka përgjigjet se preferohet mbyllja e kapitujve në grupe prej tre, pasi diskutimet me vendet anëtare janë më të frytshme në këtë format.
Ndërsa ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, thekson se kjo ishte hera e parë në dy dekada që zhvillohen katër tryeza ndërqeveritare brenda së njëjtës ditë.
“Që prej dy dekadash është hera e parë që bëhen katër në një ditë”, shprehet Hoxha, ndërsa Dhuka shton “që nga viti 2002”.
Ministri i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen e Irlandës, Thomas Byrne tha në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama dhe Komisioneren Europiane për Zgjerim, Marta Kos se “Shqipëria ka dëshmuar angazhimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”.
“Me mbylljen e këtyre kapitujve, ne shohim Shqipërinë duke hyrë në një fazë të re të procesit të anëtarësimit. Shqipëria hapi të gjashtë grup kapitujt e negociatave brenda një viti. ne përgëzojmë ritmin, vendosmërinë, dhe mbi të gjitha, qëndrueshmërinë tuaj zoti Kryeministër”, nënvizoi Byrne.
Komisionerja Kos tha se “ky është një moment i madh për Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Është një Kjo është një “Super e Martë” për zgjerimin dhe Shqipëria është pjesë e saj”.
Kryeministri Rama tha në Konferencën për mediet se “sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë dhe ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim i qartë që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate dhe që vendi ynë është gjithnjë e më i përgatitur për të marrë përsipër përgjegjësitë e anëtarësimit”.


