Rama nga inaugurimi i sheshit “Mitsotakis”: Keqkuptimet kalojnë

Mos i humb

Sheshi i Derviçanit prej ditës së sotme do të mbajë emrin e ish-kryeministrit të Greqisë, Konstantinos Mitsotakis.

I pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e përurimit të këtij sheshi ku u vendos edhe busti i Mitsotakis, Kryeministri Edi Rama vlerësoi figurën e tij si politikan dhe poliglot, ndërsa bëri edhe një historik të shkurtër të jetës së tij.

“Sot kujtojmë dhe kremtojmë me vendosjen e bustit, jetën e një personazhi historik të Greqisë fqinje. Ajo ngjan si imitimi i një rrëfimi romanesk ku e bashkuar e tashmja dhe e ardhmja e një vendi ndërthuren me personazhin në një formë që sa e krijon atë, aq edhe i shkrin ato, gati pabesueshëm me rrugëtimin, ngjarjet, ngjitjet, rrëzimet dhe ringritjet e tij”, tha Rama.

Kryeministri tha se “Konstantinos Mitsotakis ishte në qendër të vorbullës së politikës greke nga fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe deri në fillimin e shekullit XI. Ajo vorbull ishte djepi i tij jo vetëm sepse në shtëpinë ku lindi, 105 vjet më parë ishte firmosur konventa e cila u dha kretasve privilegjet e para përpara bashkimit të ishullit me Greqinë, por edhe sepse ai erdhi në jetë si djali i dytë i një deputeti grek me emrin Kiriakos Mitsotakis dhe si stërnipi i kryeministrit grek të kohës së luftrave ballkanike, legjendarit Elefteros Venizelos. Nga një fond vetjak i caktuar enkas prej stërgjyshit kryeministër për studimet e djaloshit, Konstantinos Mitsotakis ndoqi shkollën e ligjit të Athinës kundër dëshirës së vetë, por siç provoi koha formimi juridik do ta ndihmonte atë gjithë jetën në betejat epike të bindjeve të tij të patundura”, theksoi Rama.

Ndërkohë, kryeministri kujtoi se Lufta e Dytë Botërore e rreshtoi të riun Kostantinos si lejtnant në llogoren kundër pushtimit gjerman të Greqisë , pastaj si militant të lëvizjes kombëtare të Kretës, pastaj si të burgosur në duart e nazistëve dhe si të dënuar me vdekje në pritje të ekzekutimit.

“Ky imponim tjetër në fatin e tij do ta pajiste liderin e mëvonshëm me guximin e njeriut që pasi ka prekur fundin nuk i trembet më asgjëje kur lufton për të imponuar bindjet e veta të panegociueshme. Në Lëvizjen Kombëtare të Kretës, e cila i përshtatej bindjeve të djaloshit që nuk anonte majtas dhe nuk kishte me komunistët asnjë dakordësi tjetër përveç dëshirës patriotike për çlirimin e Greqisë, ai luajti një rol të dorës së parë në marrëveshjen që shmangu edhe konfliktin civil në Kretë në 1943. U burgos dhe u dënua dy herë me vdekje nga nazistët por mbijetoi për mrekulli të fatit falë një shkëmbimi mes 30 të burgosurish gjermanë dhe dhjetë të burgosurish grekë”, theksoi Rama.

Rama tha se “për kontributin dhe aktet e tij të spikatura të rezistencës, njeriu që do të ngjitej në majën e politikës greke vetëm në kapërcyellin e moshës së tretë, u dekorua dy herë pas luftës nga qeveritë e Greqisë dhe të Britanisë së Madhe”.

“Viti 1955 e rreshtoi juristin 37-vjeçar në krah të një legjende të Greqisë së shekullit të XX, shkrimtarit Nikos Kazantzakis me të cilin ai i paraqiti parlamentit grek një hulumtim mbi sekuestrimin e librave të këtij të fundit në provincat e Greqisë si rezultat i një hetimi dritëshkurtër për paragjykime fetare. Gjatë debatit parlamentar ai e cilësoi Nikos Kazantzakis jo vetëm si një autor të spikatur, por edhe si një patriot të vërtetë dhe një kristian autentik, duke dalë një kokë më lartë nga rreshti konformist i deputetëve çka e dalloi karakterin e tij të veçantë politik në më shumë se një rast”, shtoi ai.

“Përmendja këtu e Nikos Kazantzakis, një emër i dashur edhe për dashamirësit shqiptarë të letërsisë, e sjell natyrshëm edhe parantezën mbi faktin se Konstantinos Mitsotakis ishte një poliglot dhe lexues i ethshëm, i cili deri kur u nda nga jeta në moshën 98-vjeçare me shikimin e pamundur për të lexuar nuk u nda asnjë ditë nga librat. Falë audiolibrave ai vazhdoi të shijonte magjinë e letrave të shkruara në frëngjisht, gjermanisht dhe greqisht, sigurisht duke ndjekur publikime të natyrave të ndryshme dhe poezi, dashurinë për të cilat e mbrojti me xhelozi nga varësia mbytëse e politikës. Kretan i paepur edhe në këtë kuptim ai ushqeu gjithmonë pasionet e të nxënit përmendësh të poezive që e tërhiqnin më shumë”, shtoi Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit