Rama: U pre koka e Tiranës, por SPAK s’ka asnjë urgjencë për 21 Janarin

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se, mazhoranca ka kaluar nga pesë vjet heshtje në një fazë të re, kur do t’i japë vetes të drejtën të bëjë komente konstruktive për standardet dhe shkeljet në procese, por nuk ka ndryshuar thelbin e qëndrimit PS nuk është zyrë avokatie e askujt që është në proces, përfshirë edhe kryebashkiakun Erion Veliaj.

“Kanalet kërkuaka debate PS – PD për rastin e Erionit, pra nuk paskan kuptuar akoma se ne kemi kaluar nga pesë vjet heshtje në një fazë të re, kur do t’i japim vetes të drejtën të bëjmë komentet tona konstruktive për standardet dhe shkeljet në procese, por nuk kemi ndryshuar thelbin e qëndrimit tonë se PS nuk është zyrë avokatie e askujt që është në proces, përfshirë edhe Erjonin”, shkroi Rama në një postim në platformën X.

“E para, fakti që burgosja pa gjyq e kryetarit të bashkisë, për një problematikë që s’ka asnjë lidhje me kushtet kur jepet kjo masë, duke ndërprerë arbitrarisht kontratën e tij me zgjedhësit, kur gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë, ka të bëjë me standardet jo me fajësinë a pafajësinë e Erjonit, të cilën duhet ta ndajë drejtësia jo debatuesit e PS”, u shpreh Rama.

E dyta, shtoi Rama, “nuk ka asnjë shans që ne  të bëhemi pjesë e sharje shpifjeve nokturne për çështje të drejtësisë, kur kanalet bëhen si gjykatat e pazareve të mesjetës, ku gjuhet me gurë nga të katër anët dhe ku kuakuakuatë e kënetës politiko-mediatike arrijnë klimaksin e tyre”.

“Dhe e fundit, askush nuk ka për të na tërhequr dot në debate politike për SPAK-un e për GJKKO, sepse mes nesh dhe kënetës është kufiri mes dy botëve; asaj të drejtësisë së re evropiane që duam ne, me pavarësi të plotë nga pushteti politik e me standarde demokratike, dhe asaj të drejtësisë së vjetër vulgare që do bufi me kënetën e tij, me kontroll të plotë politik e me pazare si ato që e bënë këtë vend për 100 vjet mbretërinë e padrejtësisë”, theksoi Rama.

“Këtë lloj debati do ta bëjmë në popull, në rrugën drejt 11 majit, në mbështetje të plotë të SPAK e GJKKO kundër korrupsionit dhe patjetër, pa heshtur për shqetësimet që krijohen nga gabimet apo fajet në raport me standardet ose fjala vjen nga fakti që befas, bëhet me urgjencë prerja e kokës së Tiranës kur kemi hyrë në zgjedhje, ndërsa pesë vjet nga krijimi i tij SPAKU s’ka asnjë urgjencë për të dhënë drejtësi për 21 janarin”, nënvizoi Rama.

“Ja kështu dhe përveç spektaklit të sharje-shpifjeve e të teorive idiote të konspiracionit në ato kanale, shërbejini pak edhe të vërtetës, duke kërkuar ku janë provat, a mjaftojnë a s’mjaftojnë, a janë a s’janë kushtet për burg pa gjyq e me radhë, por jo me partitë politike e aq më pak me kënetën opozitare”, theksoi Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit