Rama: Procesi i Berlinit rol kyç në fazën e re të marrëdhënieve me BE-në

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama nënvizoi sot rolin kyç që ka Procesi i Berlinit, ndërkohë që sipas tij, “jemi në momentin e kapërcimit në një fazë tjetër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Rama tha se “ne duhet të zhytemi me mendje dhe me zemër në Procesin e Berlinit”.

“Kjo për ta kthyer Procesin e Berlinit në një proces funksional, plotësisht, siç Ballkani i Hapur provoi se ne mund të jemi funksionalë kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, që të jemi shumë të qartë. Ngeci nga vetot ‘Jo nuk dua këtë, nuk vij aty, nuk firmos, nuk jam, shikohemi nesër’. Për këtë ngeci”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se shpreson që tani t’i jepet një shtysë e re, duke pasur parasysh që tani nuk është thjesht një proces si deri më sot.

“Shpresoj shumë që ta kthejmë në një proces të lidhur drejtpërdrejtë me planin e financimeve, planin e ri të financimeve të Bashkimit Europian, për të cilin na duhet Gjermania patjetër, në radhë të parë dhe pastaj gjithë vendet e tjera për ta jetësuar bashkërisht”, tha ai.

Rama theksoi se “jemi në një moment të një kapërcimi në një fazë tjetër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe për këtë, Procesi i Berlinit është kyç, është një urë që këmbët e të cilës duhen forcuar”.

“Pikërisht që ne të merremi fort dhe të fokusohemi tek kjo urë pa u shqetësuar nga këto erërat, korentet, kundërkorentet, Ballkani i Hapur, kjo e ajo, unë them duhet të fokusohemi tek Procesi i Berlinit. Kjo është e gjitha”, tha Rama.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit