Kryeministri Edi Rama inspektoi sot Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, një nga 17 centralet e reja të krijuara falë Partneritetit Publik Privat të sterilizimit.
Rama theksoi se “kjo garantuar një standard krejt të ri sigurie për ndërhyrjet operatore, duke e kthyer njëherë e mirë faqen e turpit e të pasigurisë në sallat e operacioneve, duke ulur në minimum fenomenin e vjetër të infeksioneve post-operatore si pasojë e mungesës së sterilizimit të vërtetë, si edhe duke i kursyer shtetit dhjetëra miliona euro nga ulja e ditëve të qëndrimit në spitale pas operacioneve”.
“Hetimi i SPAK-ut për abuzime të mundshme në procesin e ndërtimit të këtij Partneriteti Publik Privat, nuk e cënon aspak suksesin e prekshëm të kësaj nisme madhore të qeverisë shqiptare për Rilindjen e Shëndetësisë, por siguron që askush të mos mbetet i pandëshkuar nëse ia bën me hile shtetit dhe popullit shqiptar, duke nxjerrë përfitime vetjake të paligjshme gjatë kryerjes së detyrës në punën për qëllimin e përbashkët”, shtoi Rama.
Kryeministri pa nga afër mjetet e vjetra që përdoreshin për ndërhyrjet kirurgjikale para koncesionit të sterilizimit.
“Këto tani duken si ato të tregimit të atij partizanit që i prisnin këmbën me sharrë. Doja të vija më shumë për të shfrytëzuar këtë moment ku u bë një konfuzion i madh për shkak të hetimit të procedurës dhe kompanisë përkatëse, midis përfitimit të madh që ka pasur sistemi dhe çfarëdoqoftë që individë të caktuar mund të kenë bërë pas shpine, që është puna e tyre me drejtësinë”, tha Rama.
“Por ndërkohë një nga gjërat që janë shumë evidente sot dhe që unë e lexona nga një person që është shumë kritik me ne, Irena Beqiraj, ish zv-ministrja jonë e Financave që ka qëndrime shumë kritike ndaj nesh. Një nga kalkulimet që bënte Irena në mënyrë krejt të pavarur konfirmon atë që ne e kemi thënë. Vetëm ulja e ditëve pas operacionit të qëndrimit në spital ka sjellë një përfitueshmëri financiare që është më e lartë se sa gjithë shpenzimi total që është bërë për këtë proces dhe gjithë kostoja e përgjithshme e parashikuar për procesin sot që flasim”, theksoi ai.