Rama: Të bëjmë të pakthyeshëm procesin e bashkëpunimit dhe paqes në rajon

Mos i humb

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Beogradi, se duhet të bëjmë më të mirën për të çuar më tutje një proces bashkëpunimi dhe paqeje në rajon, që është detyra jonë ta bëjmë të pakthyeshëm.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Rama tha se temë e bisedimeve ishte Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, por edhe tema të interesit të përbashkët.

“Faleminderit për mikpritjen dhe mundësinë për t’u takuar në kuadër të vizitave në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor lidhur me temën e samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë dhe natyrisht edhe për të diskutuar më gjerë se sa kaq për tema të interesit të përbashkët. Duke qenë se kryeministrja e Serbisë nuk ishte e pranishme, takimi me presidentin është edhe më i gjatë. Kjo na dha mundësinë të diskutojmë në mënyrë shteruese jo vetëm për temën kryesore që është Procesi i Berlinit, domosdoshmëria për t’u fokusuar të gjithë së bashku që samiti në Tiranë të jetë sukses”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se “sukses do të thotë që ne të arrijmë të bashkojmë planin e ri të Komisionit Europian për të rritur financimet për vendet e Ballkanit Perëndimor mbi tavanin aktual të fondeve IPA”.

“Plus edhe për të hapur disa rrugë të reja për integrimin e vendeve tona në tregun e përbashkët europian dhe nga ana tjetër për të ballafaquar pikëpamjet, se nuk janë gjithnjë të njëjta dhe në ndonjë aspekt janë konvergjente mjaftueshmërisht”, shtoi ai.

Rama theksoi se “ne jemi mjaftueshmërisht mësuar që t’i ndajmë opinionet tona në mënyrë të hapur, të  drejtpërdrejtë, të biem dakord që nuk jemi dakord, por kjo të mos na pengojë të përpiqemi të bëjmë më të mirën në funksion të atyre qëllimeve që duhet të jenë qëllimet e të gjithëve në rajonin tonë, për të çuar më tutje një proces bashkëpunimi dhe paqeje që është detyra jonë ta bëjmë të pakthyeshëm”.

“Për të punuar konkretisht dhe bashkëpunuar konkretisht për të bërë më të mirën duhet që në momente si ky, që është një moment specifik, me një tension shumë të lartë në veriun e Kosovës të evitojmë që ndarja e gjithë pikëpamjeve në publik të përkeqësojë klimën dhe të kthehet në arsye për të stimuluar në vija të ndryshme dhe për ta devijuar qëllimin e  ndarjes së këtyre pikëpamjeve”, theksoi ai.

Vuçiç theksoi se, “Jo vetëm duan paqe. Ne duam paqe dhe kjo nuk është një deklaratë, është diçka për të cilën punojmë, pavarësisht se sa e vështirë që mund të jetë kjo për ne dhe unë e di se si në Tiranë dhe në Prishtinë do ketë prej tyre që e shohin Serbinë si e keqja apo ajo që është fajtorja për nuk e di se çfarë. Dua që ju të dini se situata është shumë e vështirë në Serbi lidhur me këtë çështje dhe nuk do t’iu them juve dhe askujt tjetër sa të vështira janë problemet me të cilat përballemi, cilat janë reagimet e njerëzve, qoftë në veri, në Kosovë në veri apo qoftë në pjesën e sipërme jashtë.Ajo çfarë na mbetet është të bëjmë gjithçka mundemi për të ruajtur paqen”.

Ai tha se, sa i takon takimit apo për të parë Albin Kurtin, nuk kam patur asnjëherë problem të diskutoj apo ta takoj atë, qoftë nga Tirana dhe nga Prishtina që unë kam marrë pjesë për 11 vjet në diskutime.

“I vetmi që nuk kam, pra unë kam folur me të gjithë, me Hashim Thaçin, me RamushHaradinaj, me Hotin dhe diskutimet me të gjithë jam përpjekur të gjej zgjidhjet paqësore për problemet e popujve tanë, të vendeve tona që të jetojnë më mirë që ne të ofrojmë standarde më të mira jetese. Më pyesni se kur do ta shoh Albin Kurtin dhe ju as nuk e dini se as ata që janë më afër tij kur do ta shohin, por më mirë të mos bëj asnjë koment për këto gjëra. Për mua dhe për ne gjëja më e rëndësishme është që të ruajmë paqen, të vazhdojmë të punojmë e të mendojmë për rritjen ekonomike. Unë nuk jam  aq optimist sa ç’është Edi, por gjithmonë ia lë atij këtë pjesë sepse ai ka ditur më mirë sesa unë se si t’i trajtonte burokratët e Brukselit. Ka ditur më mirë se si të fliste me ta. Edhe duke folur për më shumë para për rajonin shpresoj që ai do të më sjellë lajmin që do të jetë i suksesshëm, që ne do të jemi të suksesshëm sepse kjo është ajo me të cilën jetojnë qytetarët këtu”, deklaroi ai, teksa shtoi se, “do t’ju kërkoj gazetarëve nga Beogradi nëse munden, që të mos na pyesin mua dhe Edin për këtë, jo sepse po u ikim përgjigjeve, por në fakt nuk është e drejtë sepse nuk është e vështirë që unë të flas në praninë e tij dhe ai të flasë në praninë time për Kosovën e Metohinë sepse nuk ka nevojë që t’i bëjmë gjërat më keq se ç’janë aktualisht dhe përfundimisht gjërat nuk janë mirë mjaftueshëm”.

Duke u ndalur në çështjet që diskutoi me kryeministrin Rama, ai tha se, “ne diskutuam Ballkanin e Hapur, diskutuam situatën në Kosovë e Metohi. Nuk e kam parë propozimin e Edi Ramës. Ka njerëz që mund të thonë, kemi parë, s’kemi parë gjë,ndërsa unë po e pashë them e kam parë. Kur s’e kam parë, them s’e kam parë. Megjithatë do të referohesha marrëveshjes së Brukselit dhe planit franko-gjerman që qartësisht thotë që asociacionit i komunave serbe duhet të krijohet në bazë të asaj çfarë është pranuar dhe është nënshkruar në Bruksel në 2013 dhe 2015. Kemi negociuar për thuajse dy vjet e gjysmë për këtë. Dy vjet e gjysmë negociata të vështira me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën kur nënshkruam në fillim parime”.

“Ne nuk kërkojmë sot më shumë sesa aq. Vendosni vetëm në statut parimet dhe gjithçka që duhet të jetë pjesë e veprimtarisë së asociacionit të komunave sepsekemi pranuar çdo gjë tjetër; policinë, gjyqësorin, pjesëmarrjen në zgjedhje e shumë gjëra të tjera, edhe mbrojtjen civile që nga disa më vonë u deklarua si grup terrorist. Çështja është se asociacionit i komunave duhet të formohet. Duhet të ishte krijuar 10 vjet më parë edhe më përpara sesa kaq. Megjithatë duket se nuk ka vullnet mjaftueshëm për ta bërë. Nuk e kam parë këtë propozim. Folëm për Ballkanin e Hapur dhe besoj që shumë besnikërisht fola se si ishte konkluzioni për të dy ne”, u shpreh Vuçiç.

Ai theksoi se, “në fakt ata të cilëve iu është paraqitur statuti nuk janë kumbarë, nuk janë ata, por ekipi i menaxhimit të Serbisë në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe gjithçka që është arritur në gusht të 2015. Nuk ka askënd tjetër në përputhje me rregullat e ligjshme që është e detyruar të paraqesë në statut apo të marrë pjesë në hartimin e këtij statuti përveç ekipit drejtues serb. Kaq është gjithçka dhe ne do ta vazhdojmë më tej diskutimin tonë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit