Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Altin Dumani, prezantoi sot në Kuvend raportin vjetor të SPAK për vitin 2022.
Sipas Dumanit, gjatë vitit 2022 janë rritur procedimet penale ndaj zyrtarëve të lartë, teksa u falë hetimit të SPAK u dhanë 4 vendime dënimi për 4 ish zyrtarë të lartë.
“I është kushtuar një rëndësi e veçantë regjistrimit të procedimeve kryesisht, dhe më konkretisht gjatë vitit 2022, janë regjistruar si çështje kryesisht 28 procedime penale me 34 persona në hetim, çfarë përbën një tregues pozitiv në rritje të numrit të kësaj kategorie hetimesh krahasuar me vitin 2021, ku ishin regjistruar 18 procedime penale me 9 persona në hetim kryesisht”, tha Dumani.
“Është përdorur me efikasitet metoda e hetimeve proaktive në 122 procedime penale ku janë interpretuar 2 177 pajisje fundore, ku vërehet rritje pozitive në numrin e procedime të hetuara nëpërmjet kësaj metode hetimore. Gjithashtu, në vitin 2022, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet të hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale dhe interceptuar 1 023 pajisje fundore”,- vijoi Kreu i SPAK.
“Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar gjatë vitit 2022, janë dhënë 4 vendime dënimi me 4 persona të dënuar për ish zyrtarë të nivelit të lartë. Ndërkohë në periudhën 2020- 2022 rezulton se në total nga Prokuroria e Posaçme janë hetuar gjithsej 24 procedime penale me 25 persona në hetim, ndaj ish-zyrtarëve të nivelit të lartë.
Ndër këto janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim: 8 procedime penale me 8 të pandehur (ish-Gjyqtar), 3 procedime penale me 3 të pandehur (ish-Prokuror), 1 procedim penal me 2 të pandehur (ish-Deputet) o 1 procedim penal me 1 të pandehur (ish-zv.Ministër), 1 procedim penal me 1 të pandehur (anëtare KPK) o 4 procedime penale me 4 të pandehur (ish-Kryetar Bashkie).
Këto arritje janë evidentuar pozitivisht edhe në Progres Raportin e vitit 2022 nga Komisioni Evropian i cili evidenton në mënyrë specifike vendimet e rëndësishme përfundimtare të dhëna nga Gjykatat e Posaçme “ për zyrtarë të lartë të shtetit, përfshirë një ish-ministër të Brendshëm dhe një ish-prokuror të përgjithshëm”,- nënvizoi Dumani.
Gjatë fjalës së tij ai evidentoi edhe disa problematika, veçanërisht mungesën e ekstradimeve nga Emiratet Arabe. “Problematika më e madhe e SPAK është numri i madh i procedimeve të mbartura dhe ngelet që ky vit, që nga fillimi dhe në 6 muajt në vazhdim, prokurorët të merren me çështjet e mbartura.
Duhet patjetër që t’i japim zgjidhje kësaj problematike. Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës. 3, 4 ose më shumë hetues në një zyrë dhe në pamundësi për të ushtruar funksionet e institucioneve. Me vendim të Këshillit të Ministrave, SPAK ka marrë në pronësi një godinë që është pranë godinës dhe përmbush funksionet e SPAK. Kjo mund të quhet problematikë e zgjidhur“, tha ai.
“Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi hetimet. Nuk kemi as edhe një të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Statusi financiar jo i kënaqshëm i ekspertëve të provave digjitale.
Ne kemi një laborator, kemi rekrutuar 3 ekspertë, por trajtimi i tyre financiar lë për të dëshiruar dhe kemi frikë që mund të na largohen.”, theksoi ai.
Në përfundim të prezantimit të raportit, Dumani i’u përgjigj edhe interesit të deputetëve.
“Çfarë po bëni me kallëzimet për krimet elektorale të 2021?. Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Pse nuk është hapur asnjë hetim për aferën Mc Gonigal?, kemi inceneratorin e Tiranës, Fierit, si po ecin hetimet? Kemi “Patronazhistët” dhe “Aktivistët”, a ka ndonjë hetim konkretë për këto?” – pyeti deputetja Albana Vokshi.
“Pjesa më e madhe e këtyre çështjeve janë nën hetim. Nuk mund të jap të dhëna e të raportoj për çështje konkrete, pasi është sekreti hetimor në mes. Por përsa kohë janë në hetim, por mund të them se ndaj të njëjtin shqetësim me ju lidhur me disa cështje që janë të mbartura dhe që kanë kohë në hetim dhe duhet të disponohen nga prokurorët me një vendimmarrje.
Unë si drejtues prokurorie kam të drejtë ti krijoj kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme. Që nga dita e parë në këtë detyrë jam përpjekur ta bëj këtë dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi përgjigje me vendimmarrje”,- tha Dumani.


