Reçel me Kokrra të Plota Gështenjash

Mos i humb

Një shije jo thjeshtë interesante por krejt mbresëlënëse janë gështenjat e përgatitura në formën e glikosë

Është pikërisht periudha e artë e gështenjave. Disa i preferojnë të pjekura në prush, disa të tjerë të përvëluara në ujë, por ka dhe një tjetër shije, ndoshta më superiore se të gjitha të tjerat. Gliko me gështenja.

Kush e ka provuar është mahnitur! Të gjitha glikotë shqiptare janë të mrekullueshme, të shijshme. Tradita e amvisave shqiptare në përgatitjen e glikove është sa magjepsëse për shijen aq edhe unike në të gjitha llojet e saj.

E nëse shumë kush është çuditur kur ka dëgjuar për herë të parë për glikonë e domates apo patëllxhanit, e më pas është mrekulluar nga shija e tyre, do të surprizohet edhe më shumë nëse provon glikonë me gështenja.

Gështenja është një nga arrorët më të shijshëm të vjeshtës dhe dimrit. E ndërsa jemi mësuar t’i shijojmë ato të pjekura apo të zjera, një shije jo thjeshtë interesante por krejt mbresëlënëse janë gështenjat e përgatitura në formën e glikosë.

Falë përmbajtjes së tyre të lehtë, kremoze, të ëmbëlsuar në formën e glikosë, më shumë se sa një recetë kjo është një formulë e vërtetë unike që magjeps këdo me shijen e saj.

Përbërësit

1 kg gështenja të pastruara (1250 gr të papastruara)
1 kg sheqer
650 ml ujë
1/2 – 1 lugë e madhe lëng limoni

Përgatitja

Për të përgatitur këtë gliko, gështenjat duhen zgjedhur të mëdha, të padëmtuara dhe me lëkurë të shndritshme. Pasi i kemi pastruar, në anën e poshtme mbështetëse presim gështenjat me thikë duke krijuar një formë kryqi të thellë deri në 3 milimetra.

Pasi bëjmë këtë prerje tek të gjitha gështenjat, i hedhim në tenxhere me ujë në mënyrë që të zjejnë.

E mira do të ishte që të mos i zjenim të gjitha bashkë por nga 10-15 kokrra për çdo herë, me qëllim që çdo kokërr të marrë zjerje të plotë.

I lëmë të zjejnë pak dhe në momentin që gështenjat nisin të hapen tek pjesa e poshtme ku kemi bërë prerjen i heqim nga uji dhe i lëmë të thahen në një pecetë, duke i mbështjellë njëkohësisht që të qendrojnë të ngrohta.

Pas kësaj nisim pastrimin duke larguar me kujdes të gjithë pushin e kaftë që mbështjell gështenjat. Ky pastrim është shumë i rëndësishëm për të përftuar ngjyrën e bardhë të gështenjave.

Pasi i kemi pastruar, i vendosim të zjejnë të gjitha përreth 20 minuta. I kontrollojmë sa të zbuten me kujdes që të ruajnë formën e tyre dhe të mos prishen.

Pjesa më delikate  

Që të qendrojnë pak krokante, gështenjat nuk i lëmë të zjejnë plotësisht. Nga ana tjetër, në një tenxhere përgatisim sherbetin. Hedhim ujin, sheqerin dhe i zjejmë në zjarr mesatar për 10 minuta derisa lëngu të bëhet sherbet.

Më pas hedhim lëngun e limonit bashkë me gështenjat dhe vijojmë zjerjen edhe për maksimumi 5 minuta të tjera.

I heqim nga zjarri dhe i lëmë në tenxhere për 12 orë. Të nesërmen i vendosim sërish në zjarr mesatar dhe i lëmë të zjejnë për maksimumi 10 minuta. I heqim nga zjarri dhe i lëmë të ftohen.

Në këtë moment gështenjat përthithin ëmbëlsinë e shurupit. Pasi ftohen, glikotë i vendosim me kujdes në vazo qelqi të sterilizuara dhe i mbyllim kapakët fort. Vazot me gliko duhet të mbahen në një vend të errët dhe të freskët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit