
Ndonëse korniza ligjore nuk i mbuloi mjaftueshëm të gjitha aspektet e procesit, referendum i 30 shtatorit në Maqedoni u administrua në mënyrë të paanshme duke respektuar liritë themelore, është theksi i raportit preliminar të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE) në konferencën për mediat ku shpalosën gjetjet e raporteve të vëzhguesve të tyre.
Shefi i misionit të ODIHR-it, Jen Petersen, tha se liritë themelore të tubimit dhe të shprehjes u respektuan gjatë gjithë procesit, për të shtuar se përkundër mungesës së fushatës “Kundër”, mediat informuan në mënyrë të bollshme dhe ofruan një spektër të gjerë mendimesh.
“Fushata referendumit ishte e qetë dhe aktive anembanë vendit dhe u respektua liria e shprehjes. Administrata shtetërore ishte e paanshme dhe në përgjithësi përmbushi afatet e caktuara”, tha Petersen.
Kreu i misionit të APKE-së, Stefan Schennah, bëri thirrje për të respektuar vullnetin të mbi 600 mijë qytetarëve të cilët dolën në votime.
“Nëse i respektojmë ata që vendosën të mos votojnë, definitivisht do të duhet të respektojmë edhe ata, mbi gjysmë milion, të cilët e morën referendumin seriozisht dhe vendosën të votojnë për të ardhmen e vendit. Ata e shprehën vullnetin e tyre në ambient të qetë”, tha mes tjerash Schennah.
Në fjalimin e tij Schennah shprehu shqetësimin i cili siç tha mbetet aktual në secilin cikël zgjedhor, që është besimi në shtetin dhe me këtë, edhe tek lista e votuesve.
“Nuk kemi shumë kohë para nesh, prandaj shpresoj që administrate dhe qeveria do të pastrojnë dhe konfirmojnë listën zgjedhore, sepse gjithmonë kur njerëzit flasin me vëzhguesit tanë në rrugë, shprehin mosbesimin e tyre me listën e votuesve, prandaj fakti që njerëzit shprehin mosbesimin e tyre, flet për nevojën e pastrimit të listës zgjedhore”, tha Schennah për të shtuar se beson në zgjedhjet e radhës kjo të mos jetë temë diskutimi.
Në konferencën për mediat u fol edhe për mundësinë për përfshirje më të madhe të diasporës në zgjedhje, duke thjeshtësuar procedurat për votimin e tyre./Rtv Islam/


