
Ministri i Drejtësisë i Turqisë, Abdulhamit Gül, tha në Ankara se reforma e ardhshme gjyqësore do të ketë efekt pozitiv në rrugën e këtij vendi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Gül, duke qenë mysafir në panelin editorial të Anadolu Agency (AA) në Ankara, tha se dokumenti që lidhet me strategjinë e reformës gjyqësore në Turqi, i përgatitur në konsultim me ekspertë, qytetarë dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, do të jetë gurthemeli i një sistemi gjyqësor të reformuar, i cili nuk do të lejojë sanksionimin e individit për mendimin e tij, shprehjen apo kritikat.
Ai paralajmëroi edhe një plan aksional që nuk do të tolerojë shkeljet e të drejtave të njeriut në asnjë kuptim.
Gül theksoi se strategjia e reformës gjyqësore nuk është një dokument vetëm i Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) apo presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, por është një dokument prapa të cilit qëndrojnë 82 milionë qytetarë, pasi sondazhet janë kryer në të gjitha pjesët e Turqisë.
Ai rikujtoi dëmin që në vitet e hershme ia shkaktoi organizata terroriste FETO gjyqësorit turk përmes pjesëtarëve të infiltruar në institucionet gjyqësore.
“Prandaj e kemi prioritet t’i detektojmë dhe eliminojmë të gjitha mangësitë”, tha Gül, duke theksuar se grupi i parë i reformave duhet të gjendet së shpejti para deputetëve në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë.
Sipas reformave gjyqësore, ndër të tjera, gratë shtatzëna, të miturit dhe personat e moshuar të akuzuar për krime të vogla do të lejohen të shërbejnë në paraburgim shtëpiak me mjete elektronike.


