Refugjatët afganë në Pakistan kërkojnë t’u zgjatet leja e qëndrimit

Mos i humb

Refugjatët afganë që jetojnë në Pakistan kërkojnë që t’u zgjatet leja e qëndrimit e cila mbaron më 30 janar.

Vendimi i qeverisë së Pakistanit, ndryshe nga pritjet, për zgjatje vetëm 30-ditore të lejes së qëndrimit e cila mbaroi në fund të vitit të kaluar, shkaktoi shqetësim te 1,3 milionë refugjatë afganë të cilët jetojnë në këtë vend.

Përgjegjësi i kampit të refugjatëve afganë në kryeqytetin Islamabad, Sana Gyl, në një deklaratë për AA theksoi se duan të qëndrojnë në Pakistan.

Duke thënë që me vite të tëra jetojnë në Pakistan dhe se të paktën këtu kanë një fole ku mund të strehohen, Gyl shtoi: “Nëse do të detyrohemi të kthehemi në Afganistan, atje nuk kemi shtëpi për t’u kthyer e as dikë që do të na dalë zot. Me mijëra refugjatë më parë janë kthyer nga Pakistani në Afganistan. Shumica nuk gjetën dot vend për t’u strehuar”.

Ai gjithashtu pohoi se përkundër faktit që kushtet jetësore në kamp janë të vështira, refugjatët janë të lumtur nga të jetuarit këtu.

“Leja e qëndrimit u zgjat për vetëm 30 ditë. Nëse Pakistani na dëbon, ku mund të shkojmë brenda një muaji? Si të nisemi në rrugë me fëmijët në këto kushte dimri? Edhe po të duam të shkojmë, ku të gjejmë para për rrugë?”, tha Gyl, duke theksuar se refugjatët afganë kanë jetuar për 30 vite në Pakistan.

Më tej Gyl u shpreh se nëse Pakistani nuk ua zgjat lejen e qëndrimit, nuk e dinë se çfarë do të bëjnë.

“Nëse do të detyrohemi të kthehemi në Afganistan, atje do të na presë një e ardhme e panjohur”, shtoi ai.

“Nuk e di çfarë do të bëj nëse kthehem në Afganistan”

14-vjeçari Atikullah Omer, njëri prej qindrave fëmijëve refugjatë i cili ka lindur në kampin në Islamabad dhe i cili nuk e ka parë atdheun e tij asnjëherë, tha që është mësuar me Pakistanin, ku ka lindur dhe është rritur.

“Çfarë do të bëj nëse kthehem në Afganistan? Këtu kam lindur, fëmijëria më ka kaluar këtu. E flas gjuhën e këtushme. Nuk e di çfarë do të bëj nëse kthehem në Afganistan”, u shpreh Omer.

Ndryshe, pjesa më e madhe e refugjatëve afganë ikën nga vendi i tyre dhe u vendosën në Pakistan gjatë okupimit nëntëvjeçar nga Bashkimi Sovjetik në vitet 1980. Si rezultat i përplasjeve të brendshme pas okupimit sovjetik dhe mosarritjes së stabilitetit në vend pas okupimit të SHBA-ve në vitin 2001, refugjatët nuk mundën të kthehen në vendin e tyre.

Aktualisht, në Pakistan jetojnë afro dy milionë refugjatë afganë, prej të cilëve 1,3 milionë janë të regjistruar dhe 600 mijë ilegalë. Prej këtyre refugjatëve, dhjetë mijë qëndrojnë në kampin e Islamabadit, ndërsa të tjerët janë të shpërndarë në provincat në veri të Pakistanit.

Qeveria e Pakistanit mori vendimin për zgjatje 30-ditore të lejes së qëndrimit për 1,3 milionë refugjatë afganë, leje kjo e cila paraprakisht përfundoi më 31 dhjetor të vitit 2017./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit