
Regjimi i Bashar al Asadit dhe Rusia që e mbështet në Siri kanë pretenduar se grupi Hejet Tahrir Sham ka kryer sulm me armë kimike nga Idlibi drejt Halepit. Në kundërshtim me deklaratën e bërë nga Rusia e cila ka goditur vijën e frontit të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) theksohet se armët mortaja nuk e bëjnë të mundur që lëngun kimik ta shndërrojnë në gaz.
Agjencia e lajmeve SANA e regjimit mbrëmë ka njoftuar se një sulm me armë kimike është kryer në pozicionin El Halidiye të Halepit, zonë e cila ndodhet nën kontrollin e ushtrisë së regjimit të Asadit, ku si pasojë është pretenduar se janë ndikuar më shumë se 100 civilë.
Po ashtu edhe zyra për shtyp e Ministrisë ruse të Mbrojtjes ka bërë një deklaratë ku ka pretenduar se mbrëmë rreth orës 21.50 nga rajoni i pakësimit të tensioneve Idlib është kryer një sulm në pjesën periferike veriore të Halepit nën kontrollin e regjimit.
Zyra për shtyp e kësaj ministrie ka mbrojtur idenë se sulmi në të cilin është përdorur gazi klorin është kryer nga grupi i armatosur kundër regjimit Tahrir Sham nga rajoni i quajtur El Burajkat, me një mortajë 120 milimetër.
Ministria ruse e Mbrojtjes po ashtu ka bërë përgjegjëse për sulmin edhe mbrojtjen civile që njihet me emrin “Beretat e Bardha”.
Rusia dhe regjimi i Asadit që nga fundi i muajit gusht e deri tani në deklaratat e tyre pretendojnë se opozitarët ose grupet e armatosura kundër regjimit po kryejnë përgatitje për sulme me armë kimike dhe se për këtë po përdorin Idlibin ose zonë e “Mburojës së Eufratit”.
Ndërkohë opozitarët dhe mbrojtja civile kanë bërë paralajmërimet se regjimi dhe Rusia kanë nisur sulmet në rajonin e pakësimit të tensioneve duke prishur armëpushimin në Idlib, dhe se për këtë janë përgatitur skenarë ku opozitarët do të akuzohen për përdorimin e armëve kimike.
– “Ku ndodhet rajonit El Burajkat?
Për rajonin “El Burajkat” i cili përmendet në deklaratën e Rusisë theksohet se asnjë vendbanim me këtë emër nuk ndodhet mbi hartë. Gjithashtu edhe civilët dhe grupet aktive të ULS-së kanë theksuar për gazetarin e AA-së se nuk kanë dijeni se ndodhet ndonjë vend i emëruar “El Burajkat”.
Kryetari i mbrojtjes civile, Raid Salih, në një deklaratë për gazetarin e AA-së ka theksuar se një vendbanim i tillë me këtë emër nuk ekziston. “Ne nuk kemi dijeni për ekzistencën e një vendi të tillë. Edhe nëse ka ndonjë vend të tillë ne nuk operojmë në atë rajon”, tha Salih.
Ndër të tjera Salih ka shtuar se “Pala e vetme e cila ka aftësinë dhe teknologjinë për sulme me armë kimike është regjimi i Asadit”.
Ndërsa Naxhi Mustafa, zëdhënësi Frontit Çlirimtar Kombëtar i cili është një prej grupeve më të mëdha ushtarake në Idlib nëpërmjet llogarisë së tij Telegram ka postuar deklaratën se “Refuzojmë shpifjet e regjimit. Nëpërmjet këtyre lajmeve regjimi mbulon masakrat e tij”.
Ndërkohë në lidhje me pretendimet e Rusisë për sulme me armë kimike duke përdorur mortajat theksohet se këto nuk kanë aftësinë që të shndërrojnë një lëng kimik në gaz, dhe po ashtu mortaja nuk ka fuqinë që të kryejë këtë shndërrim dhe ta përhapë atë në terren të caktuar. Gjithashtu bëhet e ditur se sulmet me armë kimike për këtë arsye kryhen me avionë ose me raketa me rreze të gjata ose të shkurtër.
– Kundërpërgjigja i është bërë ULS-së
Rusia pas pretendimeve për sulme kimike, ka kryer sulme ajrore ndaj elementëve të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) në rajonin Rashidin i cili ndodhet në vijën e frontit të Halepit me Idlibin, në rajonin e pakësimit të tensioneve.
Në llogarinë e rrjetit social të shtëpisë së vëzhgimit të avionëve që i përket opozitarëve thuhet se “3 avionë rusë pasi u ngritën nga baza Himajmim në Latakia, vendosën në objektiv zonën Rashidin”.
Po ashtu edhe Ministria ruse e Mbrojtjes ka dhënë informacionin për operacionin rreth orës 16.00, por duke pretenduar se ka vendosur në objektiv grupet që janë përgjegjës për sulmin me armë kimike.
Regjimi i Asadit dhe grupet me mbështetje iraniane që nga orët e para të mëngjesit po kryejnë sulme me artileri dhe raketa ndaj zonave Xhernenaz dhe Temanije të Idlibit, si dhe në zonat Latamine dhe Kefer të Hama-s.
Rikujtohet se 37 civilë kanë humbur jetën dhe shumë tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të ndërmarra në rajonin për pakësimin e tensioneve Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij që nga marrëveshja e Soçit e nënshkruar më 17 shtator mes Turqisë dhe Rusisë./Rtv Islam/


