Lituania ka mbyllur përkohësisht dy nga gjashtë pikat e saj kufitare me Bjellorusinë, në përgjigje të pranisë së mercenarëve rusë “Wagner”.
Qeveria vendosi të mbyllë postblloqet në Šumskas dhe Tverečius nga e premtja.
Vendkalimet e tjera kufitare mes Lituanisë dhe Bjellorusisë mbeten të hapura.
Ashtu si Polonia dhe Letonia, shteti baltik është i shqetësuar për aktivitetet e ushtrisë private ruse “Wagner”.
Pas kryengritjes së dështuar kundër Moskës, trupat e “Wagner” u zhvendosën nga Ukraina për të ngritur përfundimisht kampin në Bjellorusi.
Sipas ministres së Brendshme të Lituanisë, Agnė Bilotaitė, në dy pikat e kontrollit do të ngrihen blloqe betoni dhe tela me gjemba.
Trafiku do të devijohet në vendkalimin Medininkai, më i madhi nga gjashtë pikat e kontrollit në kufirin 680 kilometra të Lituanisë me Bjellorusinë.
Kreu i agjencisë së rojeve kufitare të Lituanisë, Rustamas Liubajevas, pret që mbyllja e dy pikave të kontrollit, të cilat përdoren kryesisht nga qytetarët dhe automjetet e lehta, të mos kenë asnjë ndikim ‘të veçantë’ në lëvizjen e mallrave përtej kufirit.
“Rreth 600 njerëz në ditë kalojnë nëpër pikën kufitare Tverečius dhe rreth 1 600 udhëtojnë në të dy drejtimet përmes Šumskas”, tha Liubajevas.


