Rrëzohet kërkesa e PD për interpelancën për projektin “Smart City”, Balliu: Cenon sigurinë kombëtare

Mos i humb

Nënkryetari i Komisionit të Punëve të Brendshme, Klevis Balliu, akuzoi mazhorancën se i mohuan sërish opozitës interpelancën për projektin “Smart City”, pasi sipas tij qeveria kërkon të fshehë “një aferë gjigante korruptive që cenon sigurinë kombëtare të Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së tij sot në Kuvend, Balliu deklaroi se Kryeministri refuzon të përballet me Parlamentin, sepse projekti “Smart City” përfshin një kontratë prej 118,5 milionë dollarësh që u dyfishua nga 60 milionë dollarë brenda pak muajsh, pa transparencë, pa garë dhe pa asnjë justifikim teknik apo financiar.

Sipas Balliut, projekti nuk është thjesht një investim për sigurinë publike, por “krijimi i sistemit më të madh të survejimit masiv në historinë e Shqipërisë”, me mijëra kamera inteligjente, sisteme të njohjes automatike të targave dhe monitorim me inteligjencë artificiale në 20 qytete të vendit.

Deputeti demokrat tha se kompania që po implementon projektin, “Presight AI”, pjesë e grupit G42 nga Emiratet e Bashkuara Arabe, është përmendur në raportet dhe hetimet e Kongresit Amerikan për lidhje të dyshuara me struktura kineze të teknologjisë dhe survejimit.

“Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, po instalon një rrjet gjigant survejimi përmes një kompanie për të cilën vetë Kongresi Amerikan ka ngritur shqetësime serioze për lidhje me aparatin kinez të inteligjencës dhe survejimit”, deklaroi Balliu.

Ai shtoi se qeveria nuk ka bërë publike asnjë analizë të rrezikut të sigurisë kombëtare, asnjë konsultim me aleatët strategjikë dhe asnjë garanci mbi ruajtjen dhe administrimin e të dhënave të qytetarëve shqiptarë.

Në përfundim, Balliu deklaroi se opozita nuk do të ndalet së kërkuari transparencë të plotë për projektin “Smart City”, duke e cilësuar atë si “një projekt korruptiv dhe kriminal që po ndërtohet mbi fshehtësi, survejim masiv dhe kapjen e institucioneve shtetërore”.

Në përfundim, Kuvendi rrëzoi interpelancën e kërkuar me urgjencë nga Balliu me kryeministrin Edi Rama, pasi sipas Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, nga shqyrtimi rezulton se objekti nuk lidhet drejtpërdrejt me një veprim apo mosveprim konkret të Këshillit të Ministrave, por mbështetet në raportime mediatike, emisione investigative dhe pretendime nga palë të treta.

Sipas tij kërkesa nuk përmbush natyrën dhe qëllimin kushtetues.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit