Kreu i DPSHTRR Blendi Gonxhe ka reaguar pas aksidentit tragjik në Muzinë ku humbën jetën 5 persona, dhe ku plicia ka ndaluar një 25-vjeçare që ishte shofere në “Land Rover”.
Teksa qytetarë të shumtë komentonin për dhënien e patentave në rrjetet sociale, Blendi Gonxhe, nuk ka hezituar që të publikojë patentën e vajzës e cila udhëtonte me mjetin tip “Land Rover” dhe që u përplas me furgonin ku ishin viktimat.
Gonxhe heq përgjegjësinë nga institucioni që ai drejton dhe nga Ministria e Infrastrukturës, duke thënë se patenta e vajzës është dhënë nga autoritetet italiane. Pavarësisht se patenta është një dokument me të dhënat personale të personit posedues, Gonxhe e ka nxjerrë atë publikisht në mënyrë që të shmang akuzat që vinin ndaj tij dhe ndaj ministres Belinda Balluku.
Komentuesit më tej i kanë tërhequr vërejtje Gonxhes për publikimin e patentës së vajzës, por ai është justifikuar duke thënë se patenta kishte disa orë që qarkullonte në rrjet.


