Rrugët e Kosovës u përgjakën edhe mbrëmë, një grua humbi jetën në një aksident trafiku në fshatin Vitomiricë të Pejës. Nga një aksident tjetër po ashtu mbrëmë në Mitrovicë lëndime vdekjeprurëse mori edhe një 20 vjeçar. Kjo situatë po cilësohet shumë shqetësuese, për këtë Policia e Kosovës vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion për të gjithë pjesëmarrësit e trafikut.
“Referuar statistikave të 24 orëve të fundit ku janë evidentuar dy aksidente me fatalitet, situata e sigurisë në rrugët tona mbetet ende shqetësuese. Aksidentet në përgjithësi e sidomos humbja e jetëve njerëzore në aksidente trafiku është shqetësuese jo vetëm për policinë, por edhe për institucionet tjera dhe qytetarët në përgjithësi, prandaj kërkohet dhe apelojmë për një përkushtim dhe qasje më gjithëpërfshirëse proaktive, për një gjendje më të mirë”, thuhet ndër të tjera në apelin e policisë së Kosovës./Kosova Post/


