Rugova: Në rast të koalicionit LDK – VV, kryeministri duhet t’i takojë LDK-së

Mos i humb

Lidhja Demokratike e Kosovë dhe Vetëvendosje, konkretisht krerët e këtyre dy partive opozitare, Isa Mustafa e Albin Kurti kohëve të fundit kanë shpeshtuar takimet e tyre. Në opinion kjo është nënkuptuar edhe si mundësi që këto dy parti të përafrojnë qëndrimet jo vetëm si opozitë, por që në të ardhmen të arrijnë edhe një koalicion parazgjedhor, veçanërisht nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Ndonëse është ende herët të flitet se cili do të ishte kandidati për kryeministër nga radhët LDK-së apo nga VV-së, nëse këto të dyja do të garonin së bashku, megjithatë nga radhët e partisë së Isa Mustafës thonë se posti i kryeministrit do të duhej t’i përkiste kësaj partie, shkruan KosovaPost.

Naser Rugova deputet i LDK-së i kontaktuar nga KosovaPost ka thënë se nuk ka diçka konkrete sa i përket ndonjë marrëveshjeje eventuale midis LDK-së dhe VV-së për koalicion parazgjedhor. Ai ka thënë se kjo mbetet të shihet në të ardhmen.

“Kemi koordinim te mirë opozitar me Lëvizjen Vetëvendosje. Muajt e fundit jemi koordinuar mirë për veprime si opozitë, por për koalicione të mundshme parazgjedhore vendos kryetari, kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në momentin kur shihet e nevojshme. Megjithatë, për momentin të gjitha deklarimet tjera mund të jenë spekulime personale apo mediake” tha Rugova.

KosovaPost ka insistuar të dijë se në rast të ujdisë për koalicion në mes të LDK dhe VV-së, nga cila parti do ishte kandidati për kryeminstër. “Po hipotetikisht tani s’mund të them. Por, dihet forca politike e LDK-së dhe e Vetëvendosjes. Normalisht që është prioritet i LDK-së të udhëheq me qeverinë dhe kandidati duhet të jetë nga radhët e LDK-së”, deklaroi deputeti Rugova./KosovaPost

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit