
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka paralajmëruar të gjitha shtetet e rajonit dhe jashtë tij që të shmangin hapat që e përkeqësojnë situatën në rajon, pas sulmit me dronë ndaj fabrikave saudite të naftës.
“Ne kemi këndvështrim negativ ndaj rritjes së tensioneve në rajon dhe u bëjmë thirrje të gjitha shteteve të rajonit dhe jashtë tij të mos bëjnë hapa ose përfundime të nxituara që vetëm mund të përkeqësojnë destabilizimin”, u tha Peskov gazetarëve, duke komentuar pretendimet e sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, se Irani qëndron pas sulmit ndaj fabrikave të kompanisë shtetërore saudite Aramco.
Më herët gjatë ditës, rebelët Huthi në Jemen morën përgjegjësinë për sulmin e së shtunës ndaj dy fabrikave të naftës dhe paralajmëruan kompanitë dhe punëtorët e huaj që të mos afroheshin pranë fabrikave të kompanisë, të cilat mund “të sulmohen përsëri”.
Në një kumtesë tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë ka shfaqur “shqetësim serioz” dhe “fuqishëm ka dënuar” sulmet ndaj fabrikave joushtarake, duke thënë se incidenti është një pasojë e drejtpërdrejtë e konfliktit në Jemen.
“Ne fuqishëm rekomandojmë që të mos shkohet në përfundime se kush e kreu këtë sulm ndaj fabrikave saudite. E konsiderojmë si të padobishme përdorimin e ndodhisë për të përshkallëzuar tensionet rreth Iranit në përputhje me linjën e njohur të SHBA-së. Edhe më të papranueshme janë opsionet që parashikojnë masa hakmarrëse që pretendohet se po diskutohen në Washington”, thuhet në kumtesën e ministrisë.
Rebelët Huthi, raketat balistike të të cilëve zakonisht ndalohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore saudite, muajve të fundit me dronë të armatosur kanë vënë në shënjestër disa pjesë strategjike të Arabisë Saudite.
Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë një vit më vonë filluan një fushatë masive ajrore që synonte zmbrapsjen e rebelëve Huthi dhe mbështetjen e qeverisë pro-saudite.
Sipas përllogaritjeve të OKB-së, më shumë se 70.000 njerëz janë vrarë në konflikt që nga viti 2016.


