Rusia: Prapa sulmit në Duma qëndrojnë “shërbimet perëndimore”

Mos i humb

Sulmi kimik vdekjeprurës në Duma të Sirisë u orkestrua nga një “shërbim special” perëndimor dhe Moska ka prova për këtë, pretendoi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov.

“Ne kemi prova të forta se kjo ishte një shfaqje dhe shërbimet speciale të një shteti që tani janë të etur të jenë në ballë të fushatës rusofobike kanë pasur gisht në të”, tha Lavrov para gazetarëve në Moskë, pa specifikuar emra.

Mes sinjalimeve për një goditje ushtarake në përgjigje të sulmit, Lavrov tha se shpreson që askush të mos veprojë me ngut në Siri.

“Unë shpresoj që askush nuk do të guxojë të marrë një hap kaq të pamatur. Por, megjithatë, edhe gabimet e vogla do të shkaktonin sërish valë të reja të emigrantëve në Evropë”, tha shefi i diplomacisë ruse.

Ai u kërkoi gjithashtu palëve të prisnin rezultatet e një analize nga mbikëqyrësi i armëve kimike OPCW, i cili dërgoi ekspertë në Duma për të mbledhur prova për sulmin e 8 prillit.

Më 8 prill, forcat e regjimit të Asadit goditën disa objektiva në qytetin Duma të rajonit të rrethuar të Gutës Lindore të shtunën, duke përdorur një gaz toksik, i cili la të paktën 78 civilë të vdekur.

Më 24 shkurt, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri një rezolutë e cila bëri thirrje për një armëpushim njëmujor në Siri, veçanërisht në Gutën Lindore, për të lejuar dhënien e ndihmës humanitare.

Pavarësisht rezolutës, regjimi i Asadit muajin e kaluar filloi një ofensivë të madhe tokësore, mbështetur nga Rusia, që synonte marrjen e kontrollit të pozicioneve të fundit të opozitës në Gutën Lindore.

Muajin e kaluar, një komision hetimor i OKB-së publikoi ​​një raport që akuzon regjimin për kryerje të krimeve të luftës në Gutën Lindore, përfshirë përdorimin e armëve kimike kundër civilëve./Rtv Islam/

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit