Salianji: SPAK të godasë abuzuesit e pushtetit, arsyet pse ‘aksioni’ kundër Ylli Ndroqit nuk i ngjan atyre të kriminelëve

Mos i humb

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, reagon pas vendimit të SPAK për të sekuestruar pasuritë e pronarit të RTV ORA NEWS, Ylli Ndroqi.

Sipas ish-deputetit, “veprat për të cilat është dënuar zoti Ndroqi përfshihen tek OFL, ndërkohë që “aksioni” kundër tij nuk i ngjan atyre të kriminelëve më të rrezikshëm, të cilëve qeveria dhe vegla e saj OFL iu lënë kohë të përgjigjen”.

Në mesazhin e tij në ‘Facebook’, Salianji shprehet se Ylli Ndroqi nuk është lëpirës i qeverisë, duke shtuar se “Kjo dëshmon dhe njëherë qartas, se selektimi është deri më tani tipari kryesor i drejtësisë së re, ndërsa premtimet në shqip dhe anglisht për funksioninin e saj mbeten thjesht copëza fjalësh, për një drejtësi të munguar për gjithë shqiptarët”

Reagimi i Salianjit:

A do të shkërmoqet ëndrra për drejtësi nga ëndrra e Ramës për pushtet pakufij?

Ëndrra, dëshira dhe shpresa e shqiptarëve se institucionet e reja të drejtësisë do ndërtonin dhe zbatonin drejtësinë e premtuar dhe të dëshiruar, sot më shumë se kurrë i ngjasojnë ëndrrave të ditëve të nxehta të gushtit.

Të ngjashme me mirazhin janë dhe premtimet për peshqit e mëdhenj të reformës në drejtësi, që sot ngjason me rrjetën e thurur në zyrat e kryeministrit: e qepur keq dhe me interesa krejtësisht personale të pushtetit të tij, që zë ndonjë cironkë ose thjesht shërben si kërcënim për ata që kërcënojnë sadopak pushtetin e autokratit në ikje.

Pavarësisht perceptimit për korrupsion endemik në çdo nivel të administratës, ende “drejtësia e re” nuk ka gjetur dhe as gozhduar asnjë drejtor të përgjithshëm, asnjë deputet, ministër apo kryeministrin, që abuzojnë çdo ditë.

Goditjet e derisotme dhe investimet e prokurorisë, të destinuara më shumë si akte propagandistike se sa si akte për goditjen e paligjshmërisë, duken selektive dhe forcojnë perceptimin se po bëhet edhe më keq se ç’ishte, se qeveria po përdor drejtësinë për interesat e pushtetit personal.

Ne nuk duam ta besojmë dhe ngelemi me shpresë, ashtu si miliona qytetarë që presin goditjen e abuzuesve të pushtetit që janë në qeveri, dhe jo goditjen e “mishit te ngodhur”.

Edhe ngjarja e sotme dëshmon pikërisht këtë. Së pari, Ylli Ndroqi akuzohet për një dënim të vjetër, ndërkohë që Ora News dhe pronari i saj nuk u prekën kurrë nga qeveria, për sa kohë ishin në të njëjtën valë me të. Së dyti, veprat për të cilat është dënuar zoti Ndroqi përfshihen tek OFL, ndërkohë që “aksioni” kundër tij nuk i ngjan atyre të kriminelëve më të rrezikshëm, të cilëve qeveria dhe vegla e saj OFL iu lënë kohë të përgjigjen.

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme: Pse personat e afërt të qeverisë nuk preken dhe as ju dërgohet shkresë nga OFL? Çfarë nxitimi ka për t’u sekuestruar një media?

Ylli Ndroqi, si çdo subjekt i hetuar ka detyrimin të sqarojë ligjshmërinë e pasurisë së tij si çdo qytetar i barabartë para ligjit, por Ylli Ndroqi nuk mund të jetë më shumë i penalizuar për shkak se është pronar i mediave, dhe jo lepirës i qeverisë. Kjo dëshmon dhe njëherë qartas, se selektimi është deri më tani tipari kryesor i drejtësisë së re, ndërsa premtimet në shqip dhe anglisht për funksioninin e saj mbeten thjesht copëza fjalësh, për një drejtësi të munguar për gjithë shqiptarët.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit