Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pritet të zhvillojë sot seancën për masën e sigurisë ndaj ish-Kryeministrit Sali Berisha i akuzuar për korrupsion pasiv në rastin e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Mediet raportuan se mbërritën në ambientet e GJKKO, dy avokatët e caktuar nga shteti për seancën e kësaj të enjteje. Avokatët që kanë mbërritur janë Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia.
Berisha akuzohet nga SPAK se ka konsumuar veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Sipas SPAK, Sali Berisha i cili në atë kohë mbante postin e Kryeministrit, ka ushtruar presion ndaj administratës për përfundimin sa më parë të procedurave të privatizimit të ish-klubit Partizani nga i cili dhëndri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro.


