
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka konfirmuar se do të marrë pjesë në protestën e së shtunës të thirrur nga Vetëvendosja, njëkohësisht u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë zë në parandalimin në ruajtjen e integritetit dhe territorialitetin e vendit.
Sipas Sejdiut është koha që qytetarëve t’i ndëgjohet zëri i tyre dhe t’i japin fund keqëqeverisjes dhe tu thonë stop pushtetarëve që janë në krye të shtetit.
Ndryshe Sejdiu për Kosova Post tha se protesta e nesërme do të ketë efektin e duhur për t’i parandaluar veprimet e katandisura të disa personave, dhe rezultatet konkrete do të shihen pas veprimeve opozitare të kordinuara në ditët dhe javët në vijim.
“Vendi sinqerisht ka nevojë që të pastrohet nga kjo kastë e keqe qeverisëse, që ka zaptuar aktualisht pothuajse çdo institucion dhe për këto dy dekada pas luftës vazhdon ta shkatërrojën shtetin. Rrjedhimisht, ka ardhë koha që qytetarët t’i jepin këtyre pushtetarëve të papërgjegjshëm një leksion të fuqishëm lidhur me dëmin që po na e bëjnë si shtet dhe si qytetarë të këtij vendi. Por duhet kuptuar që kjo është vetëm protesta e parë, dhe rezultatet konkrete do të shihen pas zbatimit të kombinimit të veprimeve opozitare që do të ndodhin në ditët dhe javët në vijim”, tha Sejdiu
Për më tepër, Sejdiu thotë se ideja e Thaçit për ndryshimin e kufijëve është e rrezikshme dhe se çdo vendim i tillë do t’i shqetësoj tej mase qyetarët e Republikës së Kosovës duke pasur parasysh ende plagët e freskëta të luftës.
“Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të një mori deklarata skandaloze të bëra nga Presidenti Thaçi, veçanërisht kohëve të fundit. Përfshirë këtu edhe atë lidhur me nevojën për korigjim të kufijve. Nuk është e qartë pse Presidenti Thaçi po lëshohet në këto aventura kohëve të fundit, por çka dihet është se tezat e tilla vetëm sa shqetësojnë qytetarët tanë që ende vuajnë nga traumat e luftës, nxisin tensione, dobesojnë pozitën negociuese të Kosovës karshi Serbisë dhe dëmtojnë edhe ata pak shtetësi që jemi munduar të ndërtojmë këtë dekadën e fundit”, tha Sejdiu, duke shtuar se çfarëdo marrëveshje që mund ta nënshkruaj Presidenti Thaçi për ndryshimin e kufijëve nënkupton shkelje serioze e Kushtetutës.
“ Është më se e qartë se asnjë ndryshim i kufijve ekzistues nuk mund të bëhet pa ndryshime kushtetuese, dhe çfarëdo marrëveshje që mund të ketë nënshkruara, apo që mund ta nënshkruaj Presidenti Thaçi, që ka objekt ndryshimin e kufijve, nënkupton shkelje serioze të Kushtetutës nga Presidenti”, tha Sejdiu.
Ndër të tjera Sejdiu është i mendimit se duhet të rishikohet edhe njëherë nga ana e Kuvendit se kush duhet t’i udhëheqë bisedimet Kosovë-Serbi.
“Ekziston nevoja urgjente që Kuvendi të mandatojë përfaqësuesin e Kosovës në këto bisedime, përfshirë edhe një platformë të qartë për bisedime, por vetëm pas organizimit të zgjedhjeve të reja në Kosovë, që do të rezultonin me përfaqësim legjitim politik të qytetarëve”, u shpreh Sejdiu./Kosova Post/


