Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi se gjatë ditëve në vijim do të shtojë trupat dhe automjet në territorin e Kosovës.
Në një deklaratë për shtyp, Forca Ndërkombëtare Paqeruajtëse sqaron se këto lëvizje të saj ndërmerren për shkak të procedurave normale të dorëzimit të kontingjenteve. Aty sqarohet gjithashtu se do të zhvillohen dhe ushtrime për testimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve operacionale, në mënyrë që të sigurohet një nivel i njëjtë stërvitjesh dhe gatishmërie për të gjitha njësitë e ardhshme në terren.
“Deri në momentin që këto stërvitje të kryhen në një mënyrë që të minimizohet pengimi dhe ndikimi ndaj popullsisë lokale, ka mundësi të ketë vonesa në trafik dhe mund të shihen lëvizjet e ushtarëve. Për këtë arsye, KFOR-i i këshillon drejtuesit e mjeteve të kenë vëmendje të posaçme nëse ndodhen afër kolonave të automjeteve ushtarake”, theksohet në deklaratë.
Ato zhvillime e detyruan NATO-n të angazhonte 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 ushtarëve që mban të stacionuar atje.


