SHBA, BE dhe vende të tjera dëbojnë diplomatë rusë

Mos i humb

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, ka deklaruar se 14 shtete të Bashkimit Europian kanë vendosur të dëbojnë diplomatë rusë.

Komentet e Tusk erdhën në qytetin bullgar Varna, ku gjendet për të marrë pjesë në Samiti BE-Turqi, duke folur para gazetarëve në lidhje me masat rreth helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në qytetin Salisbury të Britanisë.

Tusk tha se vendime për dëbimin e diplomatëve rusë në ditët në vijim do të marrin edhe shtetet e tjera të BE-së.

Sulmi në Salisbury kishte qenë temë kryesore në rendin e ditës në Samitin e Liderëve të BE-së më 22-23 mars në Bruksel.

Në deklaratën e përbashkët pas samitit ishte theksuar se gjasat janë të mëdha që pas sulmit ndaj ish-agjentit Skripa qëndron Rusia dhe se do të shqyrtohen hapat që mund të hedhen ndaj Rusisë.

SHBA dëbon 60 diplomatë rusë, mbyll konsullatën në Seattle

SHBA ka reaguar ndaj sulmit me agjent nervor të ish-spiunit rus në Britani duke dëbuar 60 diplomatë rusë për të cilët Washingtoni ka thënë se kanë punuar si oficerë të inteligjencës dhe duke urdhëruar mbylljen e konsullatës ruse në Seattle.

Rusët e përjashtuar përfshijnë 48 punonjës të ambasadës dhe 12 individë që punonin në misionin rus në OKB, konfirmoi një zyrtar i lartë i qeverisë për gazetarët në kushte anonimiteti. Ata kanë shtatë ditë për t’u larguar nga SHBA.

Konsullata në Seattle është mbyllur për shkak të afërsisë me një bazë amerikane të nëndetëseve, tha një zyrtar tjetër.

“Masat e sotme i bëjnë Shtetet e Bashkuara më të sigurta duke reduktuar aftësinë e Rusisë për të spiunuar amerikanët dhe për të kryer operacione të fshehta që kërcënojnë sigurinë kombëtare të Amerikës”, tha zyrtari.

Gjermania dëbon 4 diplomatë rusë

Në ndërkohë, po ashtu edhe Gjermania ka dëbuar katër diplomatë rusë për shkak të helmimit të agjentit të dyfishtë Sergei Skripal.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, në një deklaratë nga llogaria e tij zyrtare në rrjetin social Tëitter ka thënë se “Gjermania sot ka dëbuar katër diplomatë rusë për shkak se Rusia ende nuk po kontribuon në zbardhjen e rastit të helmimit në Salisbury”.

Maas tha se me këtë hap kanë dërguar sinjalin se solidarizohen me Britaninë. Ai shtoi se ky vendim nuk është marrë lehtë.

Ukraina merr vendim për dëbimin e 13 diplomatëve rusë

Edhe Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, në një deklaratë nga llogaria e tij në rrjetin social tha se si reagim ndaj rastit të helmimit, Ukraina ka marrë vendim për dëbimin e 13 diplomatëve rusë nga territori i saj.

Ai tha se numri i diplomatëve rusë është zvogëluar, duke treguar kështu solidaritet me partnerët britanikë të Ukrainës dhe aleatët transatlantik.

“Marrëdhëniet tona diplomatike me Federatën Ruse ‘de facto’ janë ngrirë”, deklaroi Poroshenko.

Shqipëria shpall persona të padëshirueshëm dy diplomatë rusë

Shqipëria poashtu ka shpallur persona të padëshirueshëm dy diplomatë rusë.

Ky vendim është konfirmuar zyrtarisht nëpërmjet një deklarate nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë.

“Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme u thirr ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë, Aleksander Karpushin, të cilit i’u komunikua nota verbale për shpalljen si persona të padëshirueshëm të dy diplomatëve rusë, veprimtaria e të cilëve nuk përputhet me statusin e tyre diplomatik”, thuhet në deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ndryshe, Skripal, 66 vjeç, dhe vajza e tij Julia, 33 vjeç, u pranuan në një spital pasi u gjetën pa vetëdije në një stol më 4 mars në Salisbury.

Shumë vende kanë akuzuar Moskën për sulmin të cilin ata e përshkruajnë si sulm kimik, pjesërisht për shkak se agjenti nervor i përdorur në helmim ishte nga grupi i armëve kimike Novichok të zhvilluara nga Rusia gjatë Luftës së Ftohtë.

Incidenti është krahasuar me vdekjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko në vitin 2006, pasi u helmua me një substancë radioaktive në një hotel qendror në Londër. Ish-truprojat e KGB-së të identifikuar si të dyshuar në vrasje mohuan ndonjë përfshirje.

Skripal-it iu dha strehim në Mbretërinë e Bashkuar pas një shkëmbimi spiunësh të vitit 2010 midis SHBA-ve dhe Rusisë. Para shkëmbimit, ai ishte në vuajtje të dënimit me 13 vite burg për rrjedhje të informacioneve ndaj inteligjencës britanike./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit