“SHBA përkrah përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon”

Mos i humb

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sot në takime të ndara kanë pritur senatorin amerikan Ron Johnson.

Në një komunikatë nga Presidenca thuhet se gjatë takimit të presidentit Thaçi me senatorin Johnson janë biseduar zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në mes të vendeve të rajonit.

Duke e falënderuar senatorin Johnson për vizitën në këtë kohë të zhvillimeve të rëndësishme, sipas presidentit Thaçi, siç është zgjidhja e kontestit rreth emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, ai theksoi se po punon për arritjen e një marrëveshjeje që do të ketë efekte pozitive për rajonin.

“Marrëveshja do të jetë e vështirë të arrihet”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se nëse arrihet, ajo do të jetë plotësisht në përputhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me BE-në, e cila sipas tij do të jetë marrëveshje e zbatueshme.

Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi tha se po “eksplorojmë të gjitha mundësitë për marrëveshje”. Sipas tij, marrëveshja do të jetë në “të mirë të vendit, të rajonit dhe në pajtim me SHBA-në dhe BE-në”. “Në fund, do të jenë qytetarët ata që do ta thonë fjalën e fundit për marrëveshjen”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, senatori Johnson duke u shprehur i kënaqur me zhvillimet në rajon tha se “Shtetet e Bashkuara përkrahin të gjitha përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon”.

Ndërkaq sot senatori amerikan Johnson së bashku me delegacionin nga Kongresi Amerikan u pritën në takim edhe nga kryeministri Haradinaj. Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë këtij takimi është biseduar për aktualitetin politik dhe zhvillimor të Kosovës dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve.

Në takim është biseduar edhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në ushtri, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në INTERPOL dhe dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast kryeministri Haradinaj ka thënë se përkrahja e SHBA-ve është e domosdoshme në avancimin e këtyre proceseve.

Duke folur rreth zhvillimeve të fundit politike, kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar për ndërtimin e relacioneve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe në arritjen e paqes finale me Serbinë.

Senatori amerikan Ron Johnson, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar progresin e Kosovës dhe gatishmërinë e SHBA-ve për përkrahjen e Kosovës në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare./Rtv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit