Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar Kanadanë me vendosjen e tarifave të reja tregtare, duke akuzuar Otavën për neglizhencë në menaxhimin e pyjeve, ndërsa qindra zjarre masive kanë mbuluar me tym pjesë të mëdha të veriut të SHBA-së, sipas BBC.
“SHBA-ja po pushtohet në mënyrë të panevojshme nga ajri i ndotur dhe i rrezikshëm”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”, duke paralajmëruar masa ndaj Kanadasë për atë që e quajti “neglizhencë të qëllimshme”.
Sipas të dhënave të Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Pyje, rreth 888 zjarre ishin dje aktive në Kanada – shumica r dalë jashtë kontrollit.
Më shumë se 190 prej tyre ndodheshin në provincën Ontario.
Trump tha se do të kontaktojë kryeministrin kanadez Mark Carney për të kërkuar shpjegime, duke e akuzuar Kanadanë se nuk ka mirëmbajtur siç duhet pyjet dhe zonat me bimësi të dendur.
Kritikat e presidentit amerikan u mbështetën nga disa ligjvënës republikanë, të cilët e përdorën situatën për të rikthyer idenë e Trump për ta bërë Kanadanë shtetin e 51-të amerikan. Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të forta në Kanada.
Nga ana tjetër, kryeministri kanadez, Mark Carney dhe zyrtarë të tjerë kanë theksuar se zjarret dhe ndryshimet klimatike janë një problem që prek të dyja vendet.
Kanadaja ka investuar miliarda dollarë në parandalimin e zjarreve dhe menaxhimin e pyjeve.
Tymi prek miliona njerëz në SHBA
Zjarret në Kanada kanë shkatërruar deri tani rreth 3 milionë hektarë tokë, ndërsa tymi është përhapur në disa shtete amerikane, përfshirë Minesotën, Miçiganin, Pensilvaninë, Ohajon dhe Nju Jorkun.
Në disa zona është shpallur alarm për cilësinë e ajrit, ndërsa aktivitete të shumta në natyrë janë anuluar.
Sipas monitoruesit zviceran të cilësisë së ajrit IQAir, Detroiti kishte dje ajrin më të ndotur në botë.
Shkencëtarët thonë se situata është më komplekse dhe nuk mund t’i atribuohet vetëm Kanadasë.
Ata theksojnë se tymi nuk njeh kufij dhe se edhe zjarret në SHBA, kanë ndikuar më parë në cilësinë e ajrit në Kanada.
Ekspertët e lidhin rritjen e numrit të zjarreve me temperaturat e larta, thatësirën dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike, të cilat krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e flakëve.
Ontario i përgjigjet kritikave: “Dërgoni ndihmë, jo ankesa”
Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, iu përgjigj kritikave amerikane duke thënë se Kanadaja ka ndihmuar SHBA-në në raste zjarresh dhe fatkeqësish natyrore.
“Mos u ankoni, dërgoni mbështetje dhe ndihmë, sepse ne kemi bërë të njëjtën gjë për miqtë tanë amerikanë”, deklaroi Ford.
Ai tha se më shumë se 150 ekipe zjarrfikëse, mbi 80 avionë dhe helikopterë për shuarjen e zjarreve po luftojnë me flakët në provincë.


