Universiteti John Hopkins në Maryland, i cili merret me grumbullimin e rasteve të reja të koronavirusit, ka bërë të ditur se numri i vdekjeve nga virusi COVID-19 në SHBA ka arritur në 150, (AA).
Numri i rasteve të konfirmuara ka tejkaluar shifrën 9.400, ndërsa shteti Washington, ku epidemia u raportua për herë të parë në SHBA, vazhdon të jetë shteti më i prekur me 68 vdekje.
Veç kësaj, 20 vdekje u raportuan në New York dhe 16 në California, ndërsa në 19 shtete të tjera numri mbetet më i vogël.
Në total 106 persona të diagnostifikuar me COVID-19 janë shëruar nga virusi deri më tani.
Sipas Universitetit John Hopkins, koronavirusi i ri për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 159 vende dhe territore në mbarë globin.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shpallur shpërthimin një pandemi globale, me rreth 219.500 raste të konfirmuara dhe pothuajse 9 mijë vdekje në mbarë botën.
Mbrëmë vonë, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, nënshkroi në ligj një paketë të ndihmës urgjente të vlerësuar në 105 miliardë dollarë për të luftuar përhapjen e koronavirusit.
Paketa përfshin testim falas të virusit COVID-19, pagesa për familje dhe pushim për të sëmurit për shumë amerikanë të cilët përndryshe u mungonin përfitimet e tilla. Kjo masë vlen për punonjësit për kompani që kanë nga 50 deri në 500 të punësuar.


