
Vendet anëtare të grupit G20 kanë theksuar se “po intensifikohen” rreziqet nga tensionet tregtare dhe gjeopolitike, ndërsa janë zotuar për “të mbrojtur rritjen globale nga pengesat”.
Pas disa takimeve në provincën Fukuoka të Japonisë, ministrat e financave nga vendet G20 dhe përfaqësuesit e bankave qendrore gjithashtu thanë se “vërehet stabilizim i rritjes globale dhe pritet që të rritet në vazhdim të vitit dhe në vitin e ardhshëm”, shkruan e përditshmja “Japan Today”.
Gazeta shkruan se disa nga liderët e vendeve G20 pjesëmarrëse në takim, sugjeruan se lufta tregtare mes SHBA-ve dhe Kinës ishte “shqetësimi numër një”.
“Ne do të vazhdojmë të adresojmë këto rreziqe dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim aksione të mëtejme”, thuhet në kumtesën e lëshuar pas përfundimit të takimit.
“Ne riafirmojmë përkushtimin tonë për të përdorur të gjitha mjetet politike për të arritur rritje të fuqishme, të qëndrueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse, si dhe të bëjmë roje ndaj rreziqeve negative”, qëndron në kumtesë.
E përditshmja japoneze shkruan se shumë pjesëmarrës në takim kishin mendime të ndryshme me SHBA-të, e cila “është zhvendosur nga mbështetja” për të trajtuar çështjet në forumet multilaterale siç është Organizata Botërore e Tregtisë (WTO), në favor të qasjes “Amerika e para”.
Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (IMF), Christine Lagarde, paralajmëroi për një rritje të mundshme të taksave nga rritja e tarifave dhe lëvizjeve të tjera kundërthënëse mes SHBA-ve dhe Kinës.
“Rruga para nesh mbetet e pasigurtë”, tha ajo.
“Kërcënimi kryesor vjen nga tensionet e vazhdueshme tregtare”, tha Lagarde, duke shtuar se IMF ka përllogaritur se tarifat mund të reduktojnë nivelin e GDP-së botërore me 0.5 për qind në vitin 2020, apo rreth 455 miliardë dollarë.
Duke cituar ministrin francez të Financave, Bruno Le Maire, Japan Today shkruan: “Ngadalësimi aktual botëror u ndërlidh me çështjet politike, veçanërisht tensionet tregtare”.
“Pra, është koha e duhur t’i japim fund atyre tensioneve dhe duhet t’u shmangemi luftërave tregtare të cilat mund të kenë ndikim të thellë negativ dhe ndikim afatgjatë në rritjen botërore”, tha ai.
Duke u bërë thirrje dyja palëve për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre përmes WTO-së, Maire tha: “Vetëm përmes kornizës multilaterale mund të gjejmë zgjidhje afatgjate për tensionet tregtare aktuale”.
Në takim gjithashtu u arrit konsensus për sa i përket “përmirësuar WTO-në dhe për ta bërë më në përputhje me realitetet e ekonomisë digjitale të shekullit të 21-të”.
“Ne do të punojmë në mënyrë konstruktive me anëtarët tjerë të WTO-së për të ndërmarrë reformat e nevojshme në WTO me urgjencë”, shkruan e përditshmja japoneze duke cituar kumtesën e vendeve të grupit G-20.
Liderët e vendeve anëtare të grupit G-20 do të takohen në një samit që do të mbahet në Japoni më vonë këtë muaj. Samiti tërheq vëmendje të veçantë pasi “presidentët në luftë”, ai i SHBA-ve dhe Kinës, do të marrin pjesë të takim, krahas luftës tregtare mes dy vendeve.
Përpos kësaj, gjithashtu është caktuar takim mes presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe presidentit amerikan Donald Trump, në të cilën pritet të diskutohet çështja e vazhdueshme e sistemit mbrojtës raketor S-400.


