SHENJAT E DASHURISË NDAJ TË DËRGUARIT TË ALLAHUT, ALEJHI SALATU UE SELAM

Mos i humb

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë përveç Allahut dhe paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi imamin e pejgamberëve dhe shëmbëlltyrën e shpenzuesve dhe modelin e të devotshmëve Muhamedin, biri i Abdullahut dhe rob i Allahut.

Allahu i Madhëruar e detyroi mbi ne dashurinë ndaj të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, dhe e bëri kusht që kjo dashuri të jetë më e fortë se dashuria që e ndjejmë ndaj prindërve dhe fëmijëve tanë, akraballëkut dhe grave dhe pasurisë sonë dhe iu kërcënua atyre që i japin përparësi dashurisë së tjerëve para dashurisë së Allahut apo të Dërguarit të Tij apo luftës në rrugë të Tij dhe tha: Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij”. (Et-Teube: 24) Dhe në fund të ajetit Allahu i bëri mëkatarë duke thënë: “Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur”. (Et-Teube: 24)

Kjo dashuri është detyruese për secilin njeri. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: Pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do te ketë askush besim te përsosur përderisa unë të mos jem tek ai më i dashur se fëmija, prindi dhe tërë njerëzit tjerë”.

Nëse dëshiron ta dish se kush meriton më së shumti dashuri, respekt, nder, fisnikërim dhe pasim, i Dërguari i Allahut apo prindërit, do të vëresh se më meritor është Muhamedi, alejhi salatu ue selam, për arsye se prindërit janë shkak i ekzistimit tënd në këtë dynja kalimtare kurse i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është shkak për hyrjen tënde në Xhenetin e Allahut, madje ai, alejhi salatu ue selam, është më i afërt për ne, se sa na vet për njëri-tjetrin: “Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre”. (El-Ahzab: 6)

Muslimani detyrohet që ta flijon jetën, pasurinë, familjen dhe fëmijët për të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam“Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij”. (Et-Teube: 120)

Përcjell Abdullah ibën Hishami se derisa ishim me Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, ai ia kapi dorën Omerit. Omeri i tha: O i Dërguari i Allahut! Për Zotin, ti je më i dashur tek unë se çdo gjë me përjashtim të vetes sime”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, i tha: “Jo, pasha Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk do të jesh besimtar i mirë përderisa unë të mos jem edhe më i dashur se sa vetja jote”. Omeri tha: Tani, o i Dërguari i Allahut, je edhe më i dashur se sa vetja ime. “Tani, o Omer (u plotësua besimi yt)”. – ia ktheu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Kjo dashuri e plotë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, jep fryte në këtë dynja dhe në ahiret. Nga ato fryte është shijimi i ëmbëlsisë së besimit ku i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë. “Kush i posedon tri cilësi ai veç ka shijuar ëmbëlsinë e besimit: Ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdokënd tjetër, ta dojë një njeri vetëm për Allahun dhe ta urrejë kthimin në injorancë dhe mosbesim sikur që e urren hedhjen në zjarr”.

Nga frytet e kësaj dashurie po ashtu është se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, është në Xhenet me të.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një njeri e kishte pyetur Pejgamberin, alejhi salatu ue selam: Kur është Kiameti? -”E çka ke përgatitur ti për të?”. –pyeti Pejgamberi, alejhi salatu ue selam. -Nuk kam përgatitur shumë namaz dhe agjërim, por megjithatë unë e dua (shumë) Allahun dhe të Dërguarin e Tij. -”Ti do të jesh (në Xhenet) me ata që i do”. – ia ktheu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam.

Enesi thotë se nuk jemi gëzuar asnjëherë më parë se sa kur e dëgjuam fjalën e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam: “Ti do të jesh (në Xhenet) me ata që i do”. Enesi vazhdoi dhe tha: “Unë e dua të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe Ebu Bekrin dhe Omerin dhe shpresoj që të jem së bashku me ta edhe nëse nuk mund t’i arrij veprat e tyre”.

Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se një njeri erdhi deri tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “Një njeri e do një popull, por nuk mund t’i arrijë ata”. Muhamedi, alejhi salatu ue selam, tha: “Njeriu do të jetë Ditën e Gjykimit me atë që e do”.

Kjo dashuri e plotë i ka disa shenja dhe ai i cili i vëren në vetveten e tij vetëm se e ka plotësuar dashurinë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe le ta përgëzon veten me shijimin e ëmbëlsisë së imanit dhe shoqërimin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, në Xhenet.

– Si shenjë e parë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është kur nëse robit i jepet mundësia të zgjedh mes humbjes së diçkaje nga gjërat e dynjasë dhe humbjes së shikimit të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, nëse ajo është e mundshme, robi e zgjedh të parën. Kjo cilësi ishte e pranishme tek sahabët dhe për këtë arsye ata ishin të kujdesshëm që ta shoqërojnë të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, në dynja dhe ahiret.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Në ditën kur ka hyrë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, në Medine, është ndritur në të çdo gjë; ndërsa në ditën që ka vdekur, është errësuar në të çdo gjë. Nuk jemi ndarë nga varrimi i Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, vetëm se mërzia në zemrat tona ka tejkaluar çdo kufi”.

Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut. Ti je më i dashur tek unë se sa edhe vetja ime , ti je më i dashur tek unë se sa fëmijët e mi, kur jam në shtëpi më kujtohesh dhe nuk mundem të bëj durim e mos të vij e ta shoh fytyrën tënde. Nëse e kujtoj vdekjen time dhe tënden e di se kur ti hyn në Xhenet do të jesh me të Dërguarit kurse unë nëse hy në Xhenet frikohem se nuk do të shoh. I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, nuk i dha përgjigje derisa zbriti Xhibrili, alejhi selam, me këto ajete: Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët!”. (En-Nisa: 69)

– Shenjë e dytë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është flijimi i shpirtit dhe pasurisë për të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam.

Ebu Sufjan ibën Harb, i cili në atë kohë ende nuk ishte në Islam, e pyeti Hubejb ibën Adij, Allahu qoftë i kënaqur me të, të cilin e kishin pas zënë rob jobesimtarët e Mekës dhe e nxorën ta mbysin jashtë Haremit të Mekës, duke i thënë: “O Hubejb, të betohen në Allah, a kishe pasur dëshirë që Muhamedi të ishte në vendin tënd dhe t’ia këputnim kokën atij kurse ti të ishe te familja jote? U përgjigj: “Pasha Allahun nuk dua që Muhamedi të jetë në vendin e tij kush është tani dhe atë ta godet therë që e dëmton e unë të jem te familja ime”. Ebu Sufjani tha: “Nuk kam takuar askënd prej njerëzve që e do ndokënd siç e duan shokët e Muhamedit Muhamedin”.

Zejd ibën Thabit, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Më dërgoi i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ditën e Uhudit për ta kërkuar Sad ibën Rebia, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe më tha: “Nëse e sheh dërgoj selam nga unë dhe thuaji se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, të pyet se a je nga të gjallit apo nga të vdekurit. Sad ibën Rebia tha: Edhe ti dërgoi të Dërguarit të Allahut selam dhe po ashtu selami qoftë mbi ty dhe thuaj se unë e nuhati erën e Xhenetit dhe ia përcjell edhe një selam shokëve të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, dhe thuaju: Sad ibën Rebia ju bën selam dhe ju thotë: “Dijeni fort mirë, se nuk keni arsye te Allahu nëse Pejgamberi i Allahut ngacmohet, nëse Pejgamberi i Allahut shqetësohet e ende syri juaj lëviz dhe jeni gjallë”.

– Shenja e tretë nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, është nxitimi në respektimin e urdhrave që i urdhëroi dhe largimi nga ajo që e ndaloi.

Kur i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i urdhëroi shokët e tij të dalin për në Hamraul Esed që ta përcjellin ushtrinë e Ebu Sufjanit dhe kjo ndodhi vetëm se një ditë pas betejës së Uhudit, ata nuk i thanë: jemi kthyer dje, kemi të plagosur dhe të lodhur në mesin tonë, por ata iu përgjigjën urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, edhe pse ishte shumë i rëndë për shpirtrat e tyre për arsye se ata i donin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam, dhe Allahu këtë ua shënoi në librin e Tij duke zbritur ajete që do të lexohen deri në Ditën e Kiametit: “Për ata që morën plagë të rënda, pasi iu përgjigjën thirrjes së Allahut dhe të të Dërguarit dhe për ata që kanë bërë të mira e që i frikësohen Allahut, ka shpërblim të madh. (Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen me dhuntitë dhe mirësitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe fituan kënaqësinë e Allahut. Allahu është Zotërues i mirësive të mëdha”. (Ali Imran: 172-174)

Po ashtu nga ajo dashuri që e shfaqën sahabët ishte edhe derdhja e alkoolit kur erdhi ndalesa për të.

Përcjell imam Buhariu nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon: “Ne nuk kishim tjetër pije alkoolike, veç asaj që prodhonim nga hurmat dhe që e quanim fadih. Një herë, kur isha në këmbë duke u mbushur pije Ebu Talhasë, filanit dhe filanit, erdhi një burrë dhe tha: “A ju ka mbërritur lajmi?” I thanë: “Ç’është ai lajm?” Ai tha: “Pijet alkoolike janë ndaluar.” Ata më thanë: “Derdhi këto poçe, o Enes!”-, dhe nuk pyetën për to e nuk iu kthyen më atyre pas lajmit që solli ai burrë.

– Shenja e katërt nga shenjat e dashurisë ndaj të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, kapja dhe përkrahja e Sunetit të tij dhe mbrojtja e sheriatit të tij.

Shembull praktik e kemi rastin e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur njerëzit i dhanë besën Ebu Bekrit si udhëheqës. Ai vendosi menjëherë të dërgonte ushtrinë e Usames tek romakët. Disa nga sahabët u përpoqën ta pengonin nga ky vendim, ose ta vononin për pak kohë, duke parë rreziqet e ndryshme që mund t`u kanoseshin muslimanëve nga romakët apo të krishterët e Shamit, pse jo edhe nga dezertorët, të cilët vazhdonin të kishin forca të konsiderueshme në atë kohë.

Ebu Bekri nguli këmbë që ta dërgonte ushtrinë e Usames dhe tha: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Edhe nëse do të më merrnin egërsirat, unë do ta nisja ushtrinë e Usames, siç urdhëroi Pejgamberi, alejhi salatu ue selam”.

Në një version tjetër thuhet: “Betohem në Atë që ka në dorë shpirtin tim! Sikur të gjithë arabët të vërsuleshin, kjo do të kishte qenë më e dashur për mua, sesa ta mbaj peng një ushtri që donte ta dërgonte i Dërguari i Allahut”.

Po ashtu shembull praktik e kemi edhe rastin e Haram ibën Milhan, Allahu e mëshiroftë, i cili u gëzua tej mase me rënien e tij si dëshmor duke e përcjellë mesazhin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, dërgoi shtatëdhjetë burra nga fisi Beni Sulejm te fisi Beni Amir. Kur ata mbërritën atje, daja im u tha: “Unë po shkoj përpara jush dhe, në qoftë se ata më lejojnë mua të njoftoj mesazhin e të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, (kjo do të jetë shumë mirë), përndryshe të më qëndroni pranë.” Kështu, ai shkoi përpara tyre dhe paganët (e fisit Amir) i dhanë atij besë e siguri. Por, kur po u shtjellonte mesazhin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, ata i bënë me shenjë njërit prej njerëzve të vet, i cili e plagosi atë për vdekje me shigjetë. Daja im (i plagosur) thirri: “Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi)! Fitova, për Zotin e Qabes!”.

O Zot, ngrite Islamin dhe muslimanët dhe poshtëroi kufrin dhe jobesimtarët dhe ngrite lart flamurin e të vërtetës dhe fesë. O Zot, shtona dashurinë ndaj të Dërguarit tanë, alejhi salatu ue selam, dhe bëna nga ata që e pasojnë rrugën dhe traditën e tij.

Dr. Ahmed Ferid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit