Në organizim të misionit të OBSE-së dhe agjencisë për realizimin e të drejtave të bashkësive etnike në Maqedoni, (АRDBE), në Shkup u mbajt debati në temë: Avancimi i të drejtave të bashkësive të cilat janë më pak se 20 për qind”, në të cilën pjesëmarrësit theksuan se tani është koha e përshtatshme për politika konkrete për realizimin e të drejtave të bashkësive etnike në Maqedoni.
Drejtori i АRDBE-së, Ilhan Rahman në fjalimin e tij theksoi se intitucioni të cilin e drejton, ka një detyrim ligjor për të ndjekur situatën e bashkësive etnike nën 20 për qind, duke mbikëqyrur fushat e arsimit dhe kulturës, mediat, përdorimin e gjuhës dhe simboleve. Në këtë kontekst tha ai, bashkësitë etnike përballen me probleme serioze, zgjidhja e të cilave është një proces i gjatë dhe i mundimshëm.
Ministrja e Arsimit, Renata Desoska, pjesëmarrëse në debat, tha se qeveria e Maqedonisë promovon një politikë e cila synon një shoqëri për të gjithë, që sipas saj përfshin në vete garancitë për avancimin e përdorimit të gjuhës për të gjitha komunitetet që jetojnë në vend, për të shtuar se gjuha është karakteristikë e një bashkësie të caktuar, ndërsa mohimi i të njëjtës paraqet diskriminim.
“Në sistemin arsimor të Republikës së Maqedonisë ekziston nevoja për të avancuar studimin e gjuhës së komuniteteve, por në të njëjtën kohë kemi probleme për përmbushjen e kësaj të drejte nga shkaku i mungesës së një kuadri mësimor, por edhe të teksteve shkollore në gjuhët e komuniteteve”, tha Deskoska.
Ministri i Kulturës, Robert Allagjozovski, nga ana e tij, nënvizoi rëndësinë e eventeve siç është ky, në mënyrë të gjetjes së zgjidhjeve për problemet.
“Kultura e komuniteteve të vogla në numër, është një pasuri e vendit, jo vetëm nga shkaku i artistëve të shquar dhe punonjësve kulturor, me veprat e të cilëve krenohet Maqedonia, por sepse paraqesin inspirim për të vazhduar ta ndërtojmë vendin duke i kultivuar pasuritë dhe veçoritë e saj”, tha Allagjozovski.
Pas fjalimeve të zyrtarëve ministror, vijoi një debat me pjesëtarët e OJQ-ve ku u diskutua mbi problemet dhe sfidat në drejtim të avancimit të bashkësive etnike joshumicë./Rtv islam/


