Shkup, kthehet grupi i parë i haxhinjëve

Mos i humb

Shkup

Grupi i parë i haxhinjëve nga Maqedonia e Veriut është kthyer nga vendet e shenjta, pasi kanë përmbushur njërin nga pesë kushtet e fesë Islame (AA).

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit kishin ardhur familjarë të shumtë të haxhinjëve, të cilët u kthyen me fluturim të drejtpërdrejt nga Medina. Ata përqafonin me përmallim të afërmit e tyre të cilën filluan udhëtimin në fund të muajit korrik.

Grupi i parë që arriti në vendlindje përbëhej prej 168 haxhinjëve, kryesisht nga rajoni i Myftinisë së Kumanovës dhe Strugës. Zaim Akiki nga fshati Vaksincë i rrethinës së Kumanovës, që ishte njëri prej haxhinjëve, thotë se nuk mund të përshkruajë kënaqësinë e kryerjes së Haxhit.

“Mirë kemi kaluar, shumë mirë. Kënaqësi e madhe, nuk di si të ta përshkruaj tash për momentin. Ka shumë vështirësi mirëpo të gjitha me kënaqësi harrohen”, tha Akiki.

Në vendet e shenjta, Akiki ishte me nënën e tij, e cila është 65-vjeçare. Ajo thotë se krahas moshës dhe lodhësisë, të gjitha obligimet i ka kryer vetë dhe se nuk ka pasur probleme shëndetësore. Megjithatë, ajo porosit të gjithë që kanë mundësi, të shkojnë sa janë të rinj.

“Kam kaluar shumë mirë, kam qenë me djalin. Kënaqësi më të madhe në botë nuk di. Veç Allahu ua mundësoftë të gjithëve të shkoni sa jeni më të ri, për në pleqëri nuk ishte, për të rinjtë po. Më ka ndihmuar shëndeti shumë, nuk i kam bërë djalit problem, por pak ishte lodhësi. Allahu na i pranoftë, çfarë vendi kemi lënë e ku kemi ardhur. Ishte shumë kënaqësi atje”, tha ajo.

Maksut Maksutovski, imam nga fshati Llabunisht i rrethinës së Strugës dhe njëri nga udhëheqësit e haxhinjëve nga Myftinia e Strugës, thotë se organizimi ka qenë në nivel dhe se nuk janë përballur me probleme më serioze.

“Me të vërtetë, mund të them se kaluam shumë mirë. Nga nisja, qëndrimi në vendet e shenjta, Meka dhe Medina, të gjitha obligimet fetare të cilat i kryenim në vendet e shenjta i bënim në mënyrë kolektive, bashkë, me tregimin e vlerës dhe rëndësisë së vendeve të shenjta dhe të gjitha vendeve të rëndësishme historike dhe objekteve të rëndësishme islame. Edhe në kthimin nga Medina në Shkup, me fluturim të drejtpërdrejt, elhamdulilah arritëm mirë”, tha Maksutovski.

Të intervistuarit shprehen të kënaqur edhe nga stafi mjekësor, për të cilin thonë se kanë mbajtur kujdestari edhe gjatë netëve sa kanë qëndruar në Mekë dhe Medine.

Sipas të dhënave të siguruara nga Bashkësia Fetare Islame (BFI), nga Maqedonia e Veriut këtë vit për në vendet e shenjta udhëtuan gjithsej 850 haxhinjë, ku përfshihet edhe stafi udhëheqës dhe ai mjekësor që përbëjnë 40 persona.

Ky ishte grupi i parë që u kthye nga Arabia Saudite ndërsa katër grupet tjera duhet të arrijnë në ditët në vijim.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit