Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka informuar se pacientja e parë e shëruar nga koronavirusi sot është lëshuar në mjekim shtëpiak.
Siç njoftojnë nga ministria, pacientja pasi u diagnostikua, u testua për herë të dytë për virusin sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Gjendja shëndetësore e pacientëve që janë pozitivë në Covid-19 e të cilët trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive dhe Gjendjeve Febrile është stabile. Pacientja e parë nga Dibra që është me makinë respiratore është gjithashtu në gjendje stabile. Pesë pacientët që trajtohen në spitalin e Dibrës janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në kumtesë.
Nga ministria gjithashtu thonë se mbrëmë nuk ka pasur persona të rinj të testuar në koronavirus, ndërsa aktualisht priten rezultatet e testimit të tre personave nga Dibra.
Kujtojmë se numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut është 19, përfshirë pacienten e shëruar.
Pas shfaqjes së virusit në qytetin kinez Wuhan dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në të paktën 150 shtete dhe territore.


