Ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Republikës së Maqedonisë, Goran Sugarevski dhe drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Boris Tungjev, në një konferencë të përbashkët për mediat, njoftuan për hyrje në fuqi të tarifave të reja me të cilat ulet çmimi i shërbimeve të kadastrës.
Pas takimit të realizuar, ministri Sugarevski u shpreh i bindur se masat e reja do të ulin koston e shërbimeve për qytetarët dhe kompanitë, por në të njëjtën kohë, sipas tij, ofrojnë edhe shërbime më të shpejta.
Siç shpjegoi ministri Sugarevski, me masën e re përfshihen tre tarifa të cilat i ofron kadastra, siç është regjistrimi i objekteve infrastrukturore ku ulja është me 90 për qind, regjistrimi i patundshmërive në kadastër ku ulja është me 51 për qind dhe tarifa për kompensimin për shfrytëzim të të dhënave gjeodezike në kadastër ku ulja është me 21 për qind.
“Me masën për uljen e çmimeve të shërbimeve të kadastrës, ne po përmbushim premtimin e dhënë në programin qeveritar, ku mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimeve tona reformuese për modernizim dhe rritjen e kapaciteteve të institucioneve shtetërore”, tha Sugarevski sipas të cilit Agjencia për Kadastër të Patundshmërive është në mesin e prioriteteve të tyre, meqë ka rolin kryesor në rregullimin e infrastrukturës gjeo-hapësinore, planifikimin hapësinor dhe tregun e patundshmërive. Nga këtu tha ai, së shpejti pritet miratimi i një ligji për veprimtari gjeodezike, jashtë ligjit për Kadastër, ku do të haronizohet me ligjet e BE-së.
Drejtori i Agjencisë për Kadastër të Patundshmërive, Boris Tungjev, tha se tarifat e reja tashmë janë publikuar në Gazetën Zyrtare, dhe e njëjta mundëson që të regjistrohen në kadastrën e patundshmërive ndërtimet dhe mbindërtimet e paligjshme duke i legalizuar njëkohësisht, me çka çmimi për një metër katror është ulur nga 10, në 8 denarë.
Sipas tij, më së shumti do të përfitojnë bujqit të cilët do të paraqesin në kadastër ndërrimin e kulturës, më saktësisht emërtimin e kulturave në fletëpronësitë me çka do të lehtësohet procesi i marrjes së subvencioneve.
“Qëllimi është që subvencionet të cilat i marrin bujqit, ti kenë të evidentuara në fletëpronësitë e tyre, të mos marrin subvencione fiktive, ku për shembull në fletëpronësi të ketë të shënuar kulturën vreshtari, ndërsa të marrin subvencione për kulturën e pemëtarisë”, tha Tungjev i cili pret që kjo masë të sensibilizojë bujqit që të regjistrojnë kulturat e tyre.
Sa i përket ndikimit që do të kenë masat lehtësuese mbi buxhetin e Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive, ai tha se kjo do të mbulohet me shkurtimin e shpenzimeve joproduktive./Rtv islam/