
Qeveria do të vendosë sot në mbledhjen e pasdites për shpërblimet e pensionistëve, me rastin e festave të fundvitit.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pensionistët nuk janë një kategori që mund të neglizhohen dhe për ata do të diskutohet në mbledhjen e kësaj të marte.
Pavarësisht nga problemet financiare me të cilat pritet të përballet vendi, nisur nga kostoja e rindërtimit pas tërmetit, për pensionistët pritet të jepet një shpërblim modest. Burime për MAPO theksojnë se çdo pensionist pritet të përfitojë shumën mes 20-30 mijë lekë të vjetra.
“Ideja ka qenë të mos cenojmë prioritete dhe pensionistët nuk janë kurrë një kategori që mund ta neglizhojmë, por jemi të kujdesshëm sepse duam të jemi të sigurt 100% që do ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin dhe për këtë duhet të presim konferencë, që të kemi një qartësi sa do të jetë barra e Përgjithshme”, tha Rama.
Ndërkohë qeveria pritet të miratojë sot edhe amnistinë për të burgosurit, ku prioritet do të kenë gratë e dënuara.


