Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë sot vendimin për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë ende pa i skaduar mandati kushtetues katër vjeçar.
Me 89 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e legjislaturës së 6 kanë votuar për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Përmes mocionit procedural ata kanë votuar që kjo shpërndarje e Kuvendit të bëhet pa debat.
Shpërndarja e kuvendit, një propozim që pasoi dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, në 19 korrik, u parashikua me një seancë të jashtëzakonshme e cila do t’i mundësonte Presidentit, Hashim Thaçi, shpalljen e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, shpërndarja e parlamentit mund të realizohet me dy të tretat e votave të deputetëve, që do të thotë 80 vota parlamentare.