Shqipëria ratifikon marrëveshjen për Task-Forcën Mjekësore të Ballkanit

Mos i humb

Kuvendi i Shqipërisë me 121 vota pro miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për ngritjen e Task-Forcës Mjekësore të Ballkanit”.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia angazhohen për ngritjen e Task-Forcës Mjekësore të Ballkanit, një njësi e dislokueshme ushtarake mjekësore shumëkombëshe, që pritet të përgjigjet në raste krizash dhe fatkeqësish natyrore dhe emergjencash civile.

Në paraqitjen e relacionit që shoqëron këtë marrëveshje, deputetët e mazhorancës gjatë seancës argumentuan përfitimet që do të ketë Shqipëria nga zbatimi i saj në raste fatkeqësish natyrore.

Ndërsa deputetët e opozitës, duke vlerësuar rëndësinë e marrëveshjes, theksuan se ratifikimi i saj është i vonuar.

Marrëveshja në fjalë është hartuar, duke pasur parasysh nevojën për përdorimin e kapaciteteve ekzistuese mjekësore ushtarake në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas Kuvendit të Shqipërisë, kjo marrëveshje synon të ndikojë në forcimin e marrëdhënieve shumëpalëshe ndërmjet shteteve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, duke rritur bashkëpunimin ndërmjet tyre, në mbështetje të operacioneve të ndihmës në raste të fatkeqësive rajonale, si dhe atyre jashtë rajonit.

Kjo iniciativë synon gjithashtu arritjen e një sërë objektivave në mbështetje të operacioneve në përgjigje të krizave për të reaguar brenda një kohe të shpejtë edhe në misionet e drejtuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Për Task-Forcën Mjekësore të Ballkanit, shtetet pjesëmarrëse do të ofrojnë kontributet e tyre, të cilat do të bazohen në kapacitetet ekzistuese mjekësore, në mbështetje të operacioneve ndërkombëtare për këtë qëllim.

Kujtojmë se Shqipëria e ka nënshkruar këtë marrëveshje që në muajin prill të vitit 2015.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit