Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi ta shtyjë seancën fillestare në rastin Banjska kundër 45 të akuzuarve për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër Kushtetutës së Kosovës, përfshirë Millan Radoiçiçin, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Një seancë e re u caktua për 9 tetor, pas kërkesës së tre avokatëve të të akuzuarve që gjenden në paraburgim.Ata donin më shumë kohë për t’u përgatitur.
Në paraburgim në Kosovë ndodhen vetëm tre persona që u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë: Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.
Shumica dërrmuese e të akuzurave ndodhen në arrati.
Si rrodhi seanca?
Prokuroria konfirmoi se të pranishëm në seancën e së mërkurës ishin vetëm tre të pandehur dhe kërkoi që të sigurohet prania e të gjithë të akuzuarve, ose që ata të gjykohen në mungesë.
Derisa prokuroria tha se ndryshimet në Kodin Penal e mundësonin gjykimin në mungesë, Lubomir Pantoviq, avokati i të arrestuarit Blagoje Spasojeviq, theksoi se nuk ekzistonte bazë ligjore për një gjë të tillë.
Avokatët e të akuzuarve kërkuan nga prokuroria t’ua dorëzojë dosjet e rastit në formë fizike, pasi disa dosje të pranuara në mënyrë elektronike “nuk kanë mundur t’i hapin” dhe se nuk mund të përgatiten për mbrojtje, prandaj kërkuan që seanca të shtyhej.
Prokuroria kërkoi që seanca të shtyhej vetëm nëse të pandehurit do ta pranonin fajësinë, gjë që nuk u pranua nga gjykatësi. Megjithatë, të pandehurit do të deklarohen rreth fajësisë në seancën e re muajin e ardhshëm.
Avokati i palës së dëmtuar, Arianit Koci, i kërkoi gjykatës ta shqyrtojë gjykimin e të gjithëve në mungesë, duke argumentuar se veprat për të cilat akuzohen ata janë specifike dhe se të pandehurit mund ta rrezikojnë sigurinë e Kosovës.
Gjyqtari Arben Hoti njoftoi se do të kërkojë mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit kur bëhet fjalë për gjykimin në mungesë.
Gjykata vlerësoi se tani dhe në të ardhmen ekzistojnë kushtet për gjykimin e atyre që ndodhen në paraburgim.
Kjo seancë vjen një ditë pas përvjetorit të sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi policinë dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi u vranë edhe tre sulmues serbë. /rel/


