Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët në Kosovë

Mos i humb

Siguria në punë vazhdon të jetë problem për punëtorët kosovarë.

E, si rezultat i saj, 7 persona kanë humbur jetën në vendin e punës. Krahasuar me një vit më parë, numri i rasteve me fatalitet ka shënuar rënie, thonë në Inspektoratin e Punës. Për kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, këto të dhëna janë shqetësuese. Ai rekomandon shtimin e inspektimeve.

Si pasojë e kushteve të rënda dhe sigurisë së pamjaftueshme në punë, 210 persona kanë pësuar lëndime të rënda e të lehta, deri në nëntor të këtij viti.

Rastet e lëndimeve të raportuara kanë shënuar rritje, thotë zëvendës-kryeinspektori për siguri në punë, Agim Millaku, i cili tregon për Radio Kosovën se këtë vit ka më pak raste të vdekjeve në vendin e punës.

“Gjatë këtij viti, për fatin e keq, siç thashë edhe më herët, është një numër i madh i aksidenteve në vendin e punës. Këto aksidente kanë kaluar, përjashtimisht 7 prej tyre që kanë humbur jetën në vendin e punës. Kemi pasur edhe dy raste të vdekjeve të natyrshme në punë. Kjo është konstatuar edhe nga shëndetësia, se ata kanë pasur atak në zemër”, thotë Millaku.

Për kryetarin e Bashkimit të Sindikata të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, është shqetësues numri i rasteve të vdekjeve dhe lëndimeve në vendin e punës. Gjendja më e rëndë është në sektorin privat, thotë ai.

“Kushtet në punë nuk janë fare të mira, sidomos në sektorin privat. Në këtë sektor gjendja është shumë-shumë e keqe, pasi nuk kanë siguri në punë. Ne, si BSPK, jemi shumë të shqetësuar dhe nën-stop mundohemi që t’i bëjmë presion Inspektoratit të Punës që të dalë dhe të bëjë kontrolle për të verifikuar gjendjen faktike”, thotë ai.

I pari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, pohon se për të përmirësuar situatën, kërkohet me urgjencë angazhimi i më shumë inspektorëve. Se kjo është e nevojshme, e thonë edhe në Inspektoratin e Punës. Ndërkohë, sipas të dhënëve të Inspektoratit, gjatë 2020-ës kanë humbur jetën 16 persona në vendin e punës, teksa ishin aksidentuar 194 persona.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit