Siri, mbi 350 mijë civilë të zhvendosur nga Dera

Mos i humb

 

 

Mbi 350 mijë civilë kanë ikur nga sulmet intensive të regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësve të tij në qytetin Dera në jug të Sirisë.

Që kur regjimi dhe mbështetësit e tij nisën sulmet më 20 qershor në Dera për të marrë nën kontroll vendbanimet e kontrolluara nga opozitarët, vala e migrimeve në drejtim të kufirit me Jordaninë dhe Izraelin ka vazhduar me intensitet të madh.

Burimet e mbrojtjes civile në Dera njoftuan për AA se numri i sirianëve që kanë arritur në kufirin me Jordaninë dhe Izraelin ka kaluar në mbi 350 mijë.

Civilët nga Dera që synojnë të kalojnë në Jordani kërkojnë mundësi strehimi teksa ndodhen në zonën kufitare.

Pjesa më e madhe e të zhvendosurve nuk kanë mundur të sigurojnë madje as tendë strehimi.

Qindra mijëra civilë, shumica fëmijë dhe gra, jetojnë të privuar nga burimet e ujit të pastër.

Kushtet e refugjatëve janë vështirësuar edhe më shumë si pasojë e temperaturave të larta ekstreme deri në 45 gradë dhe erërave shkretinore.

Ndërkohë, AA ka xhiruar nga ajri civilët të cilët janë në luftë për mbijetesë në tendat që kanë vendosur pas ikjes nga sulmet e regjimit në Dera.

Në pamje shihen qindra tenda të improvizuara të vendosura në një hapësirë të thatë.

Civilët e ikur nga Dera janë duke pritur mbështetje nga organizatat humanitare.

Regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij milicët iranianë bashkë me mbështetjen e forcave ajrore ruse rreth dy javë më parë nisën operacion ushtarak kundër rajoneve nën kontrollin e opozitarëve në jug të vendit. Civilët e larguar pasi forcat e regjimit kanë marrë nën kontroll disa rajone në jug të qytetit Dera në jug të Sirisë, janë mbledhur në pjesën kufitare me Jordaninë dhe Izraelin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit